E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobë 30 mijë euro zjarrfikësit, për baste para botërorit

Punonjësi i një kompanie bastesh i telefononte në shtëpi, të dëmtuarit dhe e kërcënonte se do t'i vriste vajzën


I dyshuari u arrestua pasi i kishte hedhur nën derë shoferit të zjarrfikëseve edhe një letër kërcënuese


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, vetëm pak ditë pas arrestimit të durrsakut Revion Mekshi për akuzën e "gjobëvënies" zbardh kërcënimet disa mujore drejtuar ndaj një shoferi të zjarrfikësve në qytetin bregdetar. Autori i kërcënimit u arrestua javën e kaluar nga policia e Durrësit me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas disa muaj hetimesh ndaj tij.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, të cilët theksuan se 29- vjeçari i arrestuar, dyshohet se paratë do t'i përdorte për të vendosur "baste sportive" gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit që zhvillohet në Afrikën e Jugut.


"Nga hetimet disa mujore, janë ngritur dyshime të bazuara në prova materiale, se i arrestuari Revion Mekshi, është autori i kërcënimeve ndaj efektivit të Zjarrfikëseve të Durrësit, me inicialet R.P."- thanë burimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.


I dëmtuari R.P, kishte kallëzuar në Policinë e Durrësit për disa telefonata në orët e vona në numrin fiks të shtëpisë së tij, çka bëri që prokuroria e këtij qyteti të nisë hetimin për akuzën e "përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike".


Pas hetimeve disa ditore Prokuroria e Durrësit ia dërgoi dosjen për interpretim Prokurorisë së Përgjithshme, e cila pasi shqyrtoi provat e mbledhura ia delegoi dosjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke caktuar se drejtues të hetimit prokurorin Ardian Nezha. Nga veprimet përkatëse u zbulua se shoferi i zjarrfikësve një herë në dy netë, kishte thirrje telefononike në numrin e tij fiks, por telefonuesi nuk fliste.


Më pas telefonuesi anonim, nisi të fliste dhe të kërcënonte zjarrfikësin me vrasjen e katër fëmijëve të tij. Pasi disa ditëve "pushim" kërcënuesi, është rikthyer, por tashmë me një numër celular, nëpërmjet të cilit ai kërcënonte shoferin e zjarrfikësve me mesazhe.


Pas këtyre mesazheve me tekst, shoferi i zjarrfikëseve të Durrësit, iu drejtua sërish policisë për ndihmë.


Më pas, nga përgjimet telefonike ka rezultuar se autor i shantazheve ishte një banor i afërm i zonës. "Nga verifikimet e rezulton se numri celularit nga niseshin mesazhet, ishte deklaruar i humbur nga një shitëse buke në atë zonë.


Pas mesazheve me tekst në telefon, kërcënuesi vendosi poshtë derës, nëpërmjet së cilës kërkonte 30 milionë lekë të vjetra. Në të kundërt, ai do t'i vriste vajzën e vogël zjarrfikësit"- thanë burime të hetimit. Veprimet e kryera nga prokuroria dhe policia zbuluan se autori, shkruesi i letrës, ishte Revion Mekshi, punonjës i një qendre bastesh në Durrës.


Nga akt-ekspertimi daktilografik është konkluduar se shkrimi i përdorur në letrën kërcënuese ishte i njëjtë me shkrimin e të arrestuarit. Ky i fundit po tentonte të kryente lëvizjen e fundit për të lënë një takim me të kërcënuarin, për të marrë paratë, por më pas është prangosur nga policia me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.


Ndaj tij, prokuroria ngriti akuzën e "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë", për të cilën ai është lënë në masën e arrestit burg pa afat nga gjykata.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›