E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobë 300 mijë lekë për aparaturat me rrezatim

Instalimi i pajisjeve mjekësore me rrezatim jonizues në godina të banuara do të gjobitet me 300 mijë lekë. Sanksione janë parashikuar edhe për përdorimin e këtyre aparaturave jashtë standardeve teknike. 

Aktualisht, në jo pak klinika private të instaluara në apartamente, janë vendosur aparatura si skaneri, të cilat kanë ngarkesë të madhe rrezatimi jonizues. Por situata nuk është më mirë në poliklinika e spitalet shtetërore, ku për shkak të amortizimit mjetet diagnostikuese dëmtojnë shëndetin jo vetëm të pacientëve, por edhe të mjekëve. Për të mbrojtur qytetarët Ministria e Shëndetësisë ka propozuar disa ndryshime në ligjin ekzistues. Kështu, masa e gjobës për shkelje të parashikuara në të nuk do të jetë më 10 mijë deri në 100 mijë lekë, por 100 deri 300 mijë lekë. Subjekt i dispozitave të ligjit do të jenë dhe kompanitë që merren me riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve rrezatuese dhe kompanitë, të cilat do të kryejnë kontrollin teknik, ekspertizën teknike të pajisjeve dhe burimeve të rrezatimit jonizues. Ndërkaq, në nenin 1 të ligjit është propozuar të bëhen shtesat në lidhje me sigurinë dhe sigurimin e burimeve radioaktive, duke theksuar faktin, që ligji siguron përdorime të rrezatimeve jonizuese duke marrë të mirat që vinë prej tij. Sipas ministrisë, kjo bëhet me qëllim që ligji t’i hapë rrugë sigurimit fizik të burimeve radioaktive në kuadrin e sigurisë së përgjithshme. Ndryshimet në ligjin për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues sipas specialistëve, janë propozuar duke qenë se kjo fushë është gjithnjë e më shumë në zhvillim dhe ndryshimet në këtë ligj janë një domosdoshmëri. Ligji aktual është miratuar në vitin 1995.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›