E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobë 50 mijë euro FSHF-së për fishekzjarrët

SHKRUAN: Jeton Selimi 03-11-2011 13:45

Kanë qenë incidentet kundër Francës që u ka kushtuar shumën e majme federatës. Po dje është grumbulluar Komisioni i Disiplinës që ka ndëshkuar me 4 ndeshje pa tifozë Bylisin dhe me nga 8 ndeshje kryebashkiakun Gjika dhe deputetin Sula

FSHF-së i kanë kushtuar shtrenjtë fishekzjarret dhe sendet e hedhura nga tifozët, pasi për ato që kanë ndodhur në takimin Shqipëri-Francë, gjoba e vendosur nga UEFA është 50 mijë euro. Nuk dihet nëse në këtë gjobë janë përfshirë edhe dukuritë në ndeshjen me Rumaninë, ku u hodhën shashka dhe fishekzjare në fushën e lojës, por nëse jo, atëherë ajo që do të vijë me Rumaninë do të jetë edhe më e rëndë! Lajmi në fjalë është publikuar nga vetë FSHF, e cila në sajtin e saj zyrtar, “fshf.org” shkruan: “Organizmi më i lartë i futbollit Europian UEFA ka gjobitur Shqiperinë me 50 mije EURO.Gjithçka është vendosur nga Komisioni i Disiplinës së UEFA-s për ndeshjen Shqipëri – Francë zhvilluar në Tiranë më 2 shtator 2011. Gjatë zhvillimit të takimit në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” disa “tifozë” të papërgjegjshëm edhe pse jan paralajmëruar kanë ndezur fishekzjarre, si dhe kane hedhur sende të ndryshme në fushë. Kjo masë e rëndë gjobë ka mbërritur në Federatën Shqiptare të Futbollit me motivacionin e rasteve të përsëritura nga “tifozët” e Shqipërisë edhe në disa ndeshje të mëparshme në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Europian EURO 2012. Federata Shqiptare e Futbollit gjithnjë i ka quajtur aleate, lojtarë të 12 apo besnikët e kombëtares,sportdashesit e vërtetë, ata që sillen dhe demonstrojnë kulturë si të gjithë qytetarët në Kontinentin tonë. FSHF distancohet nga këto veprime të pa pranueshme dhe përballë asaj pakice “tifozësh” të pa përmbajtur kërkon mirëkuptimin e masës me të madhe të mbeshtetësve të Kombëtares, që realisht jane pjesë e rëndësishme e futbollit tonë.”

Guri ndaj anësorit, Bylisi

dënohet me 4 javë pa tifozë

Dje është mbledhur edhe Komisioni i Disiplinës i FSHF-së, që ka marrë në shqyrtim disa çështje, ku më e nxehta ka qenë goditja me gur që iu bë anësorit Barushi në ndeshjen Bylis-Flamurtari 1-3. Në momentin kur sfida ishte 2-1 për miqtë, tifozët vendës u irrituan shumë dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, penalltia e dhënë në favor të kuqezinjve ishte ajo që i vuri kapak precipitimit të situatës, e cila degjeneroi në hedhje sendesh ndaj treshes së gjykimit, ku më keq e pësoi anësori Barushi, që u ça në kokë. Për këto ngjarje, fusha e Bylisit është ndëshkuar me katër ndeshje pa tifozë, dhe klubi me 15 milionë lekë gjobë.

Gjika e Sula “VIP”-at e ndëshkuar

me 8 ndeshje përjashtim nga aktiviteti

Por veç anësorit të goditur, një video që ka bërë xhiron e televizioneve ka qenë edhe ajo e deputetit Dashnor Sula, që kërkon të godasë kryesorin Albano Janku në ndeshjen kundër Laçit, që u mbyll 1-1. Duke qenë se në video nuk vërehet momenti final (nëse gjyqtari është goditur apo jo), disiplinori e ka ndëhskuar Sulajn me 8 ndeshje përjashtim nga aktivitetet, ndërsa skuadrën e Shkumbinit me 3 milionë lekë gjobë. Më keq e ka pësuar kryebashkiaku Gjika, që përveç ndeshjeve të përjashtuara (8), do të paguajë edhe një gjobë prej 5 milionë lekësh në arkën e FSHF-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›