E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobë në shtëpi nëse ecën me shpejtësi tej normave të lejuara



TIRANË – Nëse ecën tej normave të lejuara do të përballesh me gjobën që të vjen me postë në shtëpi. Ky është rregulli më i ri, i përcaktuar në kuadër të ristrukturimit të mbikëqyrjes së qarkullimit në rrugë. Dje është lançuar krijimi i Njësisë së Kontrollit të Autrostradave, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ky sistem ndërlidhet me sistemet e tjera të policisë, me sistemin e të dhënave kriminale, identifikon shkelësit e rregullave në trafik, mospagimin e masave administrative nga kundërvajtësit, makinat e vjedhura vetëm duke identifikuar targën etj. Kjo strukturë ngrihet në momentin kur po përgjaken rrugët nga aksidentet, gjë që sjell humbje të konsiderueshme për qytetarët dhe për vetë shtetin. Të dhënat tregojnë se Shqipëria është vendi i parë në Europë për numrin më të madh të aksidenteve.

Njësia e re
Policia Rrugore e Shqipërisë ka ngritur një strukturë të re të quajtur Njësia e Kontrollit të Autostradave, e cila pritet të kontribuojë në uljen e dukshme të numrit të aksidenteve rrugore në akset interurbane të vendit. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili inspektoi qendrën e Kontrollit të Autostradave, u informua nga drejtuesit e njësisë dhe pa nga afër funksionimin e sistemit Scout, një sistem modern i integruar që mundëson fotografimin, filmimin dhe transmetimin on-line të informacionit në sallën e komandimit.
Informacioni përpunohet në Qendrën e Përpunimit të Informacionit në Njësinë e Kontrollit të Autostradave ku gjenden bazat e të dhënave mbi gjobat dhe targat e automjeteve, procesverbalet e konstatimit në vlerë dhe masë plotësuese, e ku kryhet gjithashtu edhe përpunimi statistikor i të dhënave.

Shtrirja
“Kjo njësi, e cila e ka shtrirë këtë shërbim nga Jugu në Veri, me kapacitetet e saj profesionale do të vijë në ndihmë të çdo njësie territoriale të Policisë Rrugore sipas nevojës ku ka trafik të jashtëzakonshëm, sikurse është ai gjatë sezonit turistik, apo kur ka probleme të veçanta me trafikun, sikurse është ai i punimeve të fundit që po bën Bashkia e kryeqytetit. Pra, kudo ku ka probleme, kjo njësi do të ndërhyjë me profesionalizmin e saj për t’i ardhur në ndihmë Komisariatit të Policisë Rrugore që mbulon atë territor, - u shpreh ministri Basha.
Më tej zoti Basha theksoi se “kjo masë, e cila bën pjesë në një strategji të Policisë së Shtetit për të dhënë kontributin e saj në uljen e aksidenteve dhe fataliteteve në rrugët e Shqipërisë, do të japë efektet e duhura duke zvogëluar aksidentet në trafik, duke rritur ndjeshmërinë e qytetarëve, përgjegjshmërinë e tyre për sjelljen në rrugë dhe duke përmirësuar statistikat lidhur me humbjen e jetëve apo plagosjen e tyre në rastet e aksidenteve rrugore.
Njësia e Kontrollit të Autostradave është e pajisur me tetë radarë modernë, të cilët, brenda një minute bëjnë të mundur identifikimin e pesë - gjashtë automjeteve shkelëse të rregullave të trafikut. Sistemi i saj i kontrollit kryen në mënyrë automatike identifikimin e shkelësit dhe dërgimin e masës, sipas Kodit Rrugor, çka bën të mundur transparencën e plotë të këtij shërbimi dhe shmangien e çdo tjetërsimi të të dhënave të konstatuara nga Policia Rrugore.
Nëse tejkaloni shpejtësinë në autostradë, keni taksa apo gjoba të papaguara, nuk do të kontrolloheni nga policë rrugorë, por gjoba, bashkë me një fotografi të mjetit do t’ju vijë direkt në shtëpi.

Përplasja, 5 të lënduar në Golem

KAVAJË – Të paktën 5 persona mbetën të plagosur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në zonën bregdetare në Durrës. Kësaj radhe protagonistë të aksidentit kanë qenë emigrantë. Policia e qarkut të Durrësit bëri të ditur se për këtë ngjarje arrestoi në kushtet e flagrancës shtetasin Fatos Këllezi, 56 vjeç, lindur në Tiranë e banues në Danimarkë.
Zëdhënësja thotë se prangosja e tij u bë për arsye se në kohën kur drejtonte automjetin tip “BMW” me targë TR 4652 S, në segmentin rrugor Golem-Kavajë, e pikërisht te Mali i Robit, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me automjetin “Opel”, me targë AP 464620, të drejtuar nga shtetasi I. B., 43 vjeç, banues ne Lushnjë. Për pasojë u lënduan shtetasit E. Mehmeti, 33 vjeçe; Ll. Tomani, 16 vjeç; R. Kaci, 44 vjeçe; M. Mehmeti, 37 vjeçe, banorë të Rrogozhinës si dhe drejtuesin e mjetit “Opel” I Bacolli.
“Të dëmtuarit ndodhen në Spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën”, - thonë burimet policore, sipas të cilave, janë kryer veprimet e para dhe aktet procedurale për veprën penale të shkeljes së rregullave te qarkullimit rrugor dhe materialet i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë.
Me ardhjen e emigrantëve gjatë verës rritet fluksi i mjeteve në qarkullim dhe për pasojë shtohen në mënyrë drastike aksidentet në rrugë, të cilat shkaktojnë shumë viktima.

Plagosen 2 veta, mjeti u përplas me trafik-ndarësen

DURRËS – Një i moshuar është aksidentuar dy ditë më parë në Durrës teksa ndodhej në mjetin e drejtuar nga shtetasi Tomorr Qama, i cili mbeti edhe ai i plagosur. Burimet zyrtare pohuan se pasditen e së shtunës, rreth orës 15:00, në kohën kur drejtonte automjetin Benz kamionçinë, me targë SOJR 708, në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, në afërsi të karburantit “K.....”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit. Ai është përplasur me trafik-ndarësin, duke përfunduar në kanal. Për pasojë është dëmtuar shtetasi N. V., 69 vjeç, banues në Lagjen Nr. 13 në Durrës, i cili udhëtonte si pasagjer në këtë mjet dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. Zëdhënësja Ornela Cako thotë se është plagosur edhe vetë drejtuesi i mjetit, i cili ndodhet në Spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Policia e komunikoi masën e arrestit në spital të shtetasit Tomorr Qama.

Prangosen dy të rinjtë, vodhën kompleksin turistik

KAVAJË – Alban Xhika dhe Armand Lila janë arrestuar nga policia pasi dyshohet se janë autorë të një vjedhjeje të ndodhur në një nga komplekset turistike në zonën bregdetare të Golemit. Policia e qarkut të Tiranës bëri të ditur se në orët e vona të mbrëmjes së të dielës u bë ndalimi i dy të rinjve nga kryeqyteti, pasi dyshohen se në lokalin “Xha.....” në Golem u kanë vjedhur pushuesve disa sende personale si dhe çadra plazhi. “Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë për veprën penale të vjedhjes”, - thotë zëdhënësja e Policisë, Alma Katragjini.

6 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›