Tarifat e reklamave, biznesi do të paguajë vetëm 1 euro taksë tabele
Ervin KOÇI
Këshilli Konsultativ i Biznesit i mbledhur nën drejtimin e Ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, ka diskutuar dje mbi ndryshimet e mundshme që do të bëhen në ligjin për taksat vendore. Këshilli diskutoi rreth tarifës së taksës së tabelës, e cila propozohet të ulet. Në kuadër të hartimit të një ligji për taksat vendore që po përgatit ministria e Financave, komuniteti i biznesit ka hartuar propozimet përkatëse. Ministri i Ekonomisë, Prifti, tha se me këto ndryshime në ligj synohet të marrë fund situata monopol në Tiranë dhe të krijohet mundësia për një konkurrencë të ndershme. "Në rastin e Bashkisë së Tiranës deri diku ekziston sepse është një apo dy kompani që favorizohen padrejtësisht nga kryetari i bashkisë, por për ne rëndësi ka që të bëjmë ligjin që të mos ndikojmë në krijimin e pozitave monopol, që të jetë sa më i ndershëm për të gjithë konkurrentët, që të jetë mënyra e hyrjes në treg sa më e thjeshtë nga të gjithë dhe të jenë të gjithë në një stad të barabartë dhe pozita të barabarta",- tha ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Sipas tij, nuk ka një situatë të tillë të ngjashme në qytetet e tjera të vendit. Në variantin e diskutuar bëhet një kategorizim i tabelave në tre lloje për identifikim, për reklamë dhe për ekspozime.
Ndryshimet
Ndryshimet në ligjin për reklamat do të prekin tabelat me sipërfaqe më shumë se 12 metër katror, për të cilat aktualisht çmimi nuk paguhet për çdo metër katror, por me tarifë fikse. Sipas këtij varianti ulet ndjeshëm taksa e tabelës identifikuese, e po ashtu edhe tavani për reklamat. Tarifa e reklamës në Tiranë nga 40 mijë lekë për metër katrore zbret në 22 mijë e 500 lekë në vit. Sipas ligjit ekzistues, paguhen 45 lekë në vit për çdo metër katror për tabelat deri në 12 metër katror. Mbi këtë sipërfaqe, tabelat e tjera llogariteshin sikur të ishin 12 metra katrorë. Gjatë mbledhjes pati propozime edhe nga pjesëtarë të Këshillit, që kërkuan në ligj që të përcaktohen qartë sa do të jenë përmasat e tabelave për qëllime identifikimi në mënyrë që kjo mos të përdoret edhe si tabelë reklamimi nga biznesi. Biznesi kërkon që tarifat e reklamave që janë identifikuese për aktivitetin, të ulen në nivelin vitit 2008, gati 4 herë më pak nga tarifat që aplikohen aktualisht. Njëkohësisht, ata kërkojnë që të ketë një çmim variabël për madhësinë e tabelave reklamuese, në ndryshim nga ligji aktual, i cili ka një çmim tavan për një reklamë, e cila mund të jetë edhe më e madhe se 12 metra katrorë. Këto propozime, ministri Prifti tha se do t’i dërgojë për diskutim në ministrinë e Financave, por edhe në qeveri, për miratim.
Vendimet
Këshilli Konsultativ i Biznesit vendosi në mbledhjen e fundit që bizneset të paguajnë 1 euro si taksë për reklamat. Ky propozim pritet të diskutohet, dhe më pas të miratohet në Parlament. Efekti pozitiv për komunitetin e biznesit nga minimizimi i kësaj takse është në total 25 milionë euro. Një tjetër ndryshim që përfshihej në projektligjin për taksat e reklamave, ishte edhe heqja e taksave për reklamat që janë në përmasa më tepër se 12 metra katrorë. Me ndryshimet që parashikohen t’i bëhen ligjit, kjo taksë ulët në një nivel të konsiderueshëm.
BOX/////////////////////////////////////////
Konfindustria: Si duhet të ndryshojnë taksat e reklamave
Konfindustria paraqiti dje në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit kërkesat për përmirësimet në projekt-ligjin për taksat e reklamave. Sipas Konfindustisë, duhet të përcaktohet qartë në ligj, se pavarësisht përmasave nëse tabelat ndodhen të trupëzuara ose brenda territorit ku zhvillon aktivitet biznesi dhe nuk përdoren për të tretët, niveli maksimal i taksës që do të paguhet është 120 lekë/vit. Konfindustria kërkon që të përcaktohen saktë në ligj edhe përmasat e tabelës për qëllime identifikimi të ndodhura jashtë objektit dhe territorit ku zhvillon aktivitetin biznesi, psh. në rrugë kombëtare, përndryshe rrezikohet të krijohen hapësira ligjore subjektive për të vendosur tabela për qëllime reklamimi, duke e konsideruar në mënyrë të qëllimshme si tabela identifikuese.
Në fund, drejtuesit e Konfindustrias e konsiderojnë të gabuar vendosjen e një niveli takse tavan në pagesë, pavarësisht përmasave të tabelave reklamuese. Konkretisht, propozohet që të vendoset një tavan takse mbështetur në kërkesën e pikës 1 deri ne 12 m2 dhe më pas, varësisht përmasave të tabelave të vendoset një koeficient zbritës me qëllim rritjen e shumës së përgjithshme që do të paguhet. “Arsyetimi i mësipërm është për të lejuar konkurrencën ndërmjet bizneseve dhe për të shmangur ndotjen mjedisore, që mund të krijohet nga sipërfaqet e mëdha të reklamimit”,- përfundojnë drejtuesit e Konfindustrias, duke bërë me dije se propozimet e tyre u mbështetën nga përfaqësuesit e ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave.
Shkurt//////////////////////////
Debate në Komisionin e Ekonomisë mbi projektligjin për ekspertët kontabël
Ndryshimet në projektligjin për ekspertët kontabël, ku parashikohen ndëshkime të ashpra për specialistët e kësaj fushe nëse ata kryejnë bilance pa u regjistruar në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, ngjalli debate të ashpra gjatë diskutimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Deputetët e opozitës kërkuan që të mos shqyrtohej projektligji pa u marrë opinioni i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, si komision përgjegjës për përputhshmërinë e tij me Kushtetutën si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi këtë projektligj pak kohë më parë. Drejtoresha e Legjislacionit në Ministrinë e Financave, Linda Rusmali, sqaroi deputetët se ndryshimet në ligj u bënë për shkak se Gjykata Kushtetuese rrëzoi një prej neneve të ligjit. Në bazë të projektligjit, ndëshkimi më i vogël për ekspertët që certifikojnë bilancet e kompanive, pa qenë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Ekspertëve Kontabël, parashikohet në vlerën e gjobës 5 milionë lekë ndërsa masa maksimale është 10 milionë lekë gjobë.
6 Korrik 2010