E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobe me poste shofereve "fluturues"

06/07/2010 Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, inspekton strukturën e re. Makina fotografohet

TIRANË- Kush e shkel më shumë se ç’duhet gazin në autostradë duhet të bëhet gati për gjobën që do t’i vijë me postë në shtëpi, pasi çdo shkelje do të fotografohet nga radarët specialë. Vetë ministri i Brendshëm Lulzim Basha përuroi dhe inspektoi dje qendrën e Njësisë së Kontrollit të Autostradave, njësi e krijuar pas riorganizimit të strukturës së Policisë Rrugore. Zëdhënësi i dikasterit blu Fatmir Konja njofton se Basha u informua nga drejtuesit e njësisë dhe pa nga afër funksionimin e sistemit Scout, një sistem modern i integruar që mundëson fotografimin, filmimin dhe transmetimin online të informacionit në sallën e komandimit. Ky sistem ndërlidhet me sistemet e tjera të policisë, me sistemin e të dhënave kriminale, identifikon shkelësit e rregullave në trafik, mospagimin e masave administrative nga kundërvajtësit, makinat e vjedhura vetëm duke identifikuar targën etj. Informacioni përpunohet në Qendrën e Përpunimit të Informacionit në Njësinë e Kontrollit të Autostradave që drejtohet nga Krenar Ahmeti, ku gjenden bazat e të dhënave mbi gjobat dhe targat e automjeteve, procesverbalet e konstatimit në vlerë dhe masë plotësuese, e ku kryhet gjithashtu edhe përpunimi statistikor i të dhënave.

Ministri Basha

“Kjo njësi, e cila e ka shtrirë këtë shërbim nga jugu në veri, me kapacitetet e saj profesionale do të vijë në ndihmë të çdo njësie territoriale të Policisë Rrugore sipas nevojës ku ka trafik të jashtëzakonshëm, sikurse është ai gjatë sezonit turistik, apo kur ka probleme të veçanta me trafikun, sikurse është ai i punimeve të fundit që po bën Bashkia e kryeqytetit. Pra, kudo ku ka probleme kjo njësi do të ndërhyjë me profesionalitetin e saj për t’i ardhur në ndihmë komisariatit të Policisë Rrugore që mbulon atë territor”,-u shpreh ministri Basha. Duke garantuar se qeveria do të vijojë mbështetjen me investime për Policinë e Shtetit, Basha paralajmëroi se krijimi dhe funksionimi i kësaj njësie është vetëm një hap në drejtim të dixhitalizimit të mëtejshëm të shërbimit të Policisë Rrugore dhe përmirësimit të këtij shërbimi. “Shpreh bindjen se kjo masë, e cila bën pjesë në një strategji të Policisë së Shtetit për të dhënë kontributin e saj në uljen e aksidenteve dhe fataliteteve në rrugët e Shqipërisë, do të japë efektet e duhura duke zvogëluar aksidentet në trafik, duke rritur ndjeshmërinë e qytetarëve, përgjegjshmërinë e tyre për sjelljen në rrugë, dhe duke përmirësuar statistikat lidhur me humbjen e jetëve apo plagosjen e tyre në rastet e aksidenteve rrugore”,-theksoi ministri Basha.

Njësia e Kontrollit të Autostradave

Ajo është strukturë e sapokrijuar në Policinë e Shtetit, të cilën e drejton Krenar Ahmeti. Ajo është e pajisur me tetë radarë modernë, të cilët brenda një minute, bëjnë të mundur identifikimin e pesë-gjashtë automjeteve shkelëse të rregullave të trafikut. Sistemi i saj i kontrollit kryen në mënyrë automatike identifikimin i shkelësit dhe dërgimin e masës sipas Kodit Rrugor çka bën të mundur transparencën e plotë të këtij shërbimi dhe shmangien e çdo tjetërsimi të të dhënave të konstatuara nga Policia Rrugore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›