E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisja në funeral ishte maskim për vrasjen

06/07/2010 Dëshmia e plotë e Edmond Qukës, arrestuar para 3 ditësh në procesin e Bandës së Durrësit

Përmendi dy të pandehurit Dokle e Taullaj, por më pas gënjeu në gjykatë. Përplasja e dëshmive

TIRANE- Dëshmitari Edmond Quka që mashtroi në procesin e Bandës së Durrësit rrezikon të dënohet dy deri në 6 vjet burg, pasi sipas nenit 306/3 të Kodit Penal ai ka ndryshuar thëniet në një proces që zhvillohet për akuzat e grupit të strukturuar kriminal dhe bandës së armatosur. Aktualisht Prokuroria e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Qukan, pasi ky i fundit ka shmangur nga thëniet e tij dy të pandehurit e bandës Indrit Doklen dhe Indrit Taullain, të cilët sipas Prokurorisë në datën 9 korrik 2000 në Shënavlash kanë marrë pjesë në ekzekutimin e shtetasit Dritan Disha. Mësohet se në vend të tyre ai ka përmendur emrat e dy personave të vrarë, të cilët janë vëllezërit Klodian Saliu dhe Ndriçim Saliu. Kjo dëshmi është “nul” pasi në deklarimet e dhëna përpara oficerit të policisë gjyqësore Besnik Domi, Quka ka përmendur se në furgonin e tij në muajin Korrik, veç Klodian Saliu, Tik Colit dhe Bujar Gashit kanë hipur edhe Indrit Dokle dhe Indrit Taullaj. Sipas Prokurorisë, këta persona kanë mashtruar shoferin e furgonit, duke i thënë se kishin për të shkuar në një vdekje, por realisht ata ishin nisur për të vrarë Dritan Dishën. Edmond Quka mund të jetë vënë nën presion ose të ketë marrë para, me qëllim shmangien nga dëshmia dy të pandehurit Dokle dhe Taullaj. Gazeta “Metropol” ka mundur të gjejë dëshminë e plotë të Edmond Qukas, i cili tregon me imtësi ngjarjen e 9 korrikut të vitit 2000, në të cilën përmend dhe dy të pandehurit

Pyetet nga oficeri Besnik Domi mbi gjendjen civile, profesionin si dhe ngjarjen në muajin korrik 2000.

Jam i martuar, me profesion shofer. Në muajin korrik të vitit 2000 po lëvizja me furgonin tip “IVECO” me targa DR 2506 A nga linja e Durrësit, Spitallë Porto Romano. Një natë duke u kthyer tek shtëpia e motrës sime, me del para Klodian Saliu, i cili e dija që banonte aty, dhe më tha shprehimisht: Sa lekë do që të na çosh deri në Nish-Tulla, Shkozet se kemi një qokë vdekje. Unë ju përgjigja, se nuk kam karburant. Ai m’u përgjigj se do i hedh unë, dhe më dha 10 mijë lekë, e kështu ramë dakord. Ktheva makinën dhe kur arrita te vendi që kisha biseduar me Klodin, aty hipën në furgon tre persona, njëri ishte djalë i shëndoshë, i cili quhet Tik Coli, racë e zezë, ndërsa dy të tjerët ishin Indrit Dokle dhe Indrit Taullaj. Më pas kam mësuar se Indrit Dokles i thërrisnin “Indriti i vogël”. Këta persona unë i njoh pas këtij rasti, se punoja në Spitallë, ku banonin dhe rrinin këta djem dhe po t’i shoh përballë dhe në foto jam në gjendje t’i njoh. Theksoj se në momentin kur kanë hipur në furgon njëri nga djemtë ka pasur një çantë sportive me ngjyrë të zezë apo bojëqielli që nuk më kujtohet mirë dhe që e kishin lënë prapa sedijes time. Të tre personat u ulën prapa sedijes time, ku Tiku ishte pas meje, ndërsa dy të tjerët u ulën prapa dhe të ndarë nga njëri-tjetri, dhe kështu kemi vazhduar rrugën për të ikur në Nish-Tulla. Njëri prej Indritëve më tha që të kaloja rrugës për tek Porto-Romano, Qytet Rinia, Shënavlazh dhe kështu veprova, e pas gjysmë ore kam arritur në Nish-Tulla. Në rrugë në vendin përpara shtëpisë së Mehmet Saliut më thanë këtu ndalo dhe unë ndalova. Në vendin ku unë ndalova në rrugicën që të çon tek shtëpia e Mehmetit njëri nga personat në furgon thërriti një person me emrin Bujar, i cili erdhi tek furgoni hipi lart. Ky ishte Bujar Gashi, të cilin unë e njihja nga vëllai Tahir Gashi që banonte tek stacioni i trenit në Shkozet Durrës. Pasi hipi dhe Bujari në furgon u takua me këta djemtë dhe më thanë që kthehu të na dërgosh më poshtë në drejtim të fshatit Shënavlash. Dhe unë kështu veprova, ktheva furgonin dhe u nisëm drejt për në Shënavlash kemi ecur rreth 100-150 m nga shtëpia e Mehmetit dhe ata më thanë këtu ndalo, unë ndalova dhe zbritën të katërt, Tiku, Indriti i Vogël, Indriti i Madh dhe Bujari, dhe pashë që morën dhe çantën. I lashë në rrugën kryesore që të çon në fshatin Shënavlash pa shkuar tek ndërmarrja “FLORYHEN” dhe unë ktheva furgonin dhe u nisa për në Durrës, duke kaur nga rruga e Shkozetit dhe atë natë furgonin e kam parkuar tek ish-shkolla e natës në lagjen Nr.9 ku sot është dyqani i KMY, ku aty tek pallati ngjitur në dyqanin e vajgurit banonte dhe pronari i mjetit Gëzim Gjepali, i cili në atë kohë banonte tek shtëpia e vjehrrit të tij.

Në momentin që ju keni biseduar me Klodin për ta dërguar në Nish-Tulla, a ju tha Klodi konkretisht se ku do të shkonin ata dhe për çfarë arsye do shkonin në Nish-Tulla?

Në këtë moment Klodi më ka thënë do na çosh në Nish-Tulla për një qokë vdekje, por se ku konkretisht nuk më tha dhe pastaj ai vetë nuk erdhi në furgon, por në makinë kanë hipur tre persona që ishin Tik Coli, dy Indritët, të cilët kishin dhe një çantë me vete.

Gjatë rrugës çfarë bisedash keni bërë ju me ta dhe ata midis tyre, dhe nëse po çfarë diskutohej dhe në ç’gjendje emocionale ndodheshin ata në këto momente?

Gjatë rrugës ata kanë biseduar me mua vetëm për problemin e makinës dhe më thoshin ç’është kjo makinë kaq e vjetër, paska shumë zhurmë. Unë ju kam përgjigjur se është makinë e huaj dhe unë jam punëtor që punoj për 1000 lekë në ditë, kur lidhur me pyetjen që më bëhet se si ndjeheshin ata nga gjendja emocionale, unë shpjegoj se nuk isha në gjendje t’i dalloja pasi ishte dhe errësirë dhe i kisha nga mbrapa.

Personat në fjalë, a i kini parë apo takuar më pas dhe nëse po, kë keni parë apo takuar dhe në çfarë rrethanash jeni takuar dhe çfarë keni biseduar?

Për të parë i kam parë të gjithë këta djem, për veç Bujarit pasi këta djem rinin tek zdrukthëtaria në lagjen Nr15 Durrës ku dhe unë punoja me transport udhëtarësh me linjës e Spitallës me furgon. Në një rast ka qenë muaji maj ose qershor i vitit 2002 më ka ndaluar në rrugë tek zdrukthëtaria Tik Coli dhe pasi të dërgosh këta pasagjerë që ke në furgon, do takohemi tek spitali ku grumbullohen punëtorët dhe do marrim 8 punëtorë dhe do t’i transportosh tek lokali “Cikloar” në Bisht Pallë dhe në darkë do vish t’i marrësh përsëri. Unë kështu veprova dhe kur kam shkuar në darkë tek lokali “Cikloar” nuk ishin punëtorët dhe Klodian Saliu më dha 1000 lekë, i cili ishte tek lokali i tij. Nga kjo kohë nuk i kam takuar herë tjetër.

Në deklarimet tuaja ju midis të tjerave keni shpjeguar momentin kur keni ndaluar në Nish-Tulla në afërsi të banesës së shtetasit Mehmet Saliu. Si njiheni ju me këtë person?

Kur ndaluam në afërsi të Mehmetit unë mendova se do të shkonim për qokë, pasi kishte rreth tre javë që Mehmetin e kishin vrarë dhe e kam njohur Mehmetin nga djali i tezes së tij, Tahi Gashi.

Gjatë rrugës apo në momentin që këta persona kanë hipur dhe zbritur në furgonin tuaj, a keni parë që të kenë armë me vete, si dhe a keni parë çfarë sendesh kishte në çantën e tyre?

Unë nuk i kam parë armë asnjërit prej tyre, si dhe nuk kam arritur të dalloj se çfarë kishte në çantën e tyre, e cila siç theksova më sipër ishte vendosur prapa sedijes time.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›