Pezullohet përdorimi i mjeteve të ujit pas 2 aksidenteve, polica takon vendorët
VELIPOJË – Plagosja e dy turistëve nga motorët e ujit gjatë ditëve të fundit në Velipojë ka alarmuar policinë, e cila ka bllokuar lëvizjen e mjeteve lundruese deri gjetjen e një vendi të përshtatshëm për t’u ankoruar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se strukturat policore të qarkut të Shkodrës zhvilluan një takim me autoritetet vendore të Velipojës, pas ngjarjeve të ndodhura gjatë së premtes dhe së shtunës së kaluar.
Zëdhënësja e Policisë, Fatbardha Çelepia, thotë se “në takimin e organizuar u vendos që motorët e ujit nuk do të vihen në përdorim nga vetë pronarët deri në një moment ku të përcaktohet vendi i përshtatshëm për qarkullimin e tyre, si dhe pronarët të jenë pajisur me dokumentacionin përkatës”. Për dy ditë me radhë, ekspertët e Policisë dhe drejtuesit e komunës së Velipojës diskutuan për mundësinë e disiplinimit të qarkullimit të mjeteve të lejueshme detare dhe për masat e tjera. Burimet policore raportuan se më datë 2 korrik, rreth orës 19:00 “teksa shtetasi L. Shala, 24 vjeç, lindur në Ferizaj, Kosovë, duke drejtuar një motor uji me shpejtësi, ka dalë nga uji në sipërfaqe të rërës dhe ka dëmtuar lehtë shtetasen Ç. H., 50 vjeçe, banuese në Tiranë”. Sipas tyre, e aksidentuara është dërguar në Spitalin rajonal Shkodër dhe pas ndihmës së parë është larguar për në banesë.
Thuajse të njëjtën fatkeqësi pati edhe një zonjë tjetër, e cila, teksa lahej në det bashkë me foshnjën e saj 8-muajshe, është goditur nga një motor uji. Gruaja, në përpjekje për të mbrojtur foshnjën e saj, ka marrë plagë të rënda në trup. Ajo ndodhet në Spitalin e Shkodrës në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për të dyja rastet policia ka nisur hetimet. Ndërkaq, ka bllokuar përkohësisht qarkullimin e motorëve të ujit derisa të zgjidhet problemi i përcaktimit të zonave të lëvizjes. Pak javë më parë, në mbledhjen e qeverisë, u vendos për lejimin e motorëve të ujit, duke përjashtuar kategoritë e mjeteve lundruese që nuk preken nga Moratoriumi. Po ashtu, autoritetet vendore kanë ngritur strukturat e rojave bregdetare, të cilat nuk janë në gjendje që të ndalojnë lëvizjen e xhetskive në zonat e populluara nga turistët brenda në det.
6 Korrik 2010