Gjobëvënia, 2.4 vjet burg ish-futbollistit të Vllaznisë
TIRANE - Erogen Brajoviç, ish-futbollisti i skuadrës së Vllaznisë rrezikon të dënohet me 2 vjet e 4 muaj burg dhe 800 mijë lekë gjobë, për "gjobën" e vënë prej tij 2 vjet më parë. Ishte kjo masa e dënimit e kërkuar dje nga Prokuroria për Krimet e Rënda ndaj shkodranit të akuzuar për "shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë". Ne seancën e djeshme Prokurori i çështjes paraqiti përpara gjykatës konkluzionet përfundimtare të akuzës. Në përfundim, ai kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Brajoviç, i njohur edhe si "Vaso", dhe dënimin e tij me 2.4 vjet burg dhe 800 mijë lekë gjobë. Gjatë seancës i pranishëm ishte edhe vetë Brajoviç, i cili gjykohet në gjendje të lirë. Ngjarja për të cilën akuzohet "Vaso" zë fill më 20 gusht të vitit 2007, në një lokal të plazhit të Velipojës. Sipas Prokurorisë, aty ai ka pasur një grindje me L. Draganin dhe F. Rexhën. "Pas këtij konflikti, personi i pandehur për veprën penale u ka dërguar fjalë me persona të tjerë familjarëve të Rexhës dhe Draganit, për t'u mbyllur në shtëpi për shkak të konfliktit që kanë pasur më parë në plazh", thuhej në kërkesën për gjykim. Mësohet se presioni i tij ka vazhduar më tej kur ai i ka marrë me forcë automjetin personal L.Draganit dhe ia ka mbajtur peng për 50 ditë. Sipas akuzës, në përfundim ai i ka kërkuar "palës kundërshtare" 50 mijë euro për të mbyllur sherrin. Por një kallëzim penal i bërë nga dy të lënduarit, ka sjellë ndalimin e Brajoviçit dhe vënien e tij përpara drejtësisë. ar.ba