E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zyrtarët fshehin qiratë e shtëpive”

 

BLEDAR HOTI

Çdo zyrtar që nuk deklaron të ardhurat e marra nga qiraja do të kallëzohet penalisht nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive. Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, Adriatik Llalla, në takimin për trajnimin e zyrtarëve për parandalimin e konfliktit të interesave tha se, “institucioni do të vijojë me kontrollin rigoroz të deklarimit të interesave private dhe vuri theksin në modelin e ri të formularit të deklaratës së pasurisë”. Ai shtoi se, “gjatë hetimit administrativ, ILDKP do të konsiderojë si fshehje të pasurisë rastet e mosdeklarimit të të ardhurave të fituara nga zyrtarët nëpërmjet qiradhënies”. “ILDKP-ja ka konstatuar se disa prej subjekteve deklarojnë se sigurojnë të ardhura nga dhënia me qira e objekteve të ndryshme. Këto raste janë në proces verifikimi nga ana e Inspektoratit të Lartë, me qëllim verifikimin e shlyerjes së detyrimeve fiskale për të ardhurat që subjektet deklarojnë se realizojnë nga dhënia me qira e objekteve, verifikim i cili realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Në të gjitha rastet kur do të konstatohet se subjektet nuk shlyejnë detyrimet fiskale, Inspektorati do të mbajë qëndrimin e duhur ligjor”, deklaroi Llalla. Në këtë takim merrnin pjesë ministrat e Arsimit, Fatos Beja dhe e Shëndetësisë, Anila Godo dhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, ku janë shpërndarë 200 certifikata për punonjësit e trajnuar, kryesisht të sektorëve të arsimit dhe shëndetësisë, për parandalimin e konfliktit të interesave. Duke rikonfirmuar edhe njëherë rolin e trajnuesit për njohjen e kërkesave ligjore nga zyrtarët e administratës publike, Llalla u shpreh se, “Inspektorati i Lartë do të ndjekë në vazhdimësi strategjinë, e cila tashmë ka filluar të konkretizohet, nëpërmjet së cilës ILDKP është angazhuar të forcojë rolin kontrollues për sa i përket zbatimit të ligjit mbi konfliktin e interesave në institucionet publike, duke aplikuar në këtë mënyrë sanksionet dhe masat shtrënguese të parashikuara në ligj”. Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch në fjalën e tij vlerësoi punën e ILDKP-së, duke premtuar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. “Korrupsion mund të ketë kudo në shoqëri apo në institucion, por detyra jone është ta parandalojmë atë. Të gjithë nëpunësit duhet të plotësojnë formularët e deklarimit të pasurive, në mënyrë që ta verifikojmë atë. Ky është vetëm një hap i parë, por duhet të merren dhe shumë të tjerë. Qeveria duhet t’i ndihmojë njerëzit t’i plotësojnë deklaratat e pasurisë”, u shpreh ambasadori Bosch. Ai shtoi se kanë qenë gjithsej 387 zyrtarë që janë trajnuar në lidhje me parandalimin e konfliktit të interesave. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cilësoi si mjaft të rëndësishme zhvillimin e programeve trajnuese, duke u shprehur se, “si titullare e institucionit është e gatshme të ndëshkojë këdo që ka konflikt interesi, ose nuk zbaton me përpikëri ligjin për deklarimin e pasurive”.

Të trajnuar 200 zyrtarë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është shndërruar në një prej institucioneve që po jep kontribut shumë të madh në luftën kundër korrupsionit. Nëpërmjet një programi-pune intensiv 3-javor, ILDKP në bashkëpunim me OSBE-në dhe Institutin e Trajnimit të Administratës Publike (ITAP) arriti të trajnojë rreth 200 zyrtarë të niveleve të ndryshme për parandalimin e konfliktit të interesave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›