E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Na i fshehën targat e rrëmbimit"

 

Armand Bajrami

Gjashtë dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria rrëfyen dje para togave të zeza të Krimeve të Rënda në procesin gjyqësor në ngarkim të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha dhe torturimin e Ziso Kristopullit e Avni Koldashit. Dëshmitarët, pjesa më e madhe e të cilëve funksionarë të shërbimit sekret dhe policisë në kohën e zhdukjes së biznesmenit Hoxha, treguan si janë njohur me ngjarjen dhe veprimet që kanë ndërmarrë në atë kohë për hetimin e saj. Dëshmitari Xhevdet Bashllari konfirmoi dje para gjykatës se kishte qenë Avni Koldashi ai që kishte marrë Ziso Kristopullin në Ksamil të Sarandës dhe e kishte sjellë deri në Tiranë. Por duke treguar se ai kishte pasur njohje të afërta si me Kristopullin dhe të akuzuarin Koldashi, dëshmitari tha se udhëtimin nga Saranda në kryeqytet Kristopulli e kishte bërë i paprangosur dhe me sy të zbuluar. Ndërsa ish-shefi i Komisariatit nr.3 në Tiranë, Jani Naqi, i bëri me dije gjykatës se kishte kërkuar nga policia e qarkullimit rrugor verifikimin e targave të makinës që kishte marrë Remzi Hoxhën. Sipas përgjigjes që i ishte kthyer, targat nuk ishin në qarkullim. Në seancën e djeshme, 5 dëshmitarë u përballën me pyetjet e palëve në një seancë të thjeshtë, ndërsa për të fundit I. Saliu, gjykata vendosi zhvillim me dyer të mbyllura, për arsye të funksionit aktual prej agjentit sekret të dëshmitarit. 
Miku i përbashkët
Nën cilësinë e dëshmitarit të akuzës dhe të mikut të përbashkët të një prej të akuzuarve të procesit dhe një prej të lënduarve, Xhevdet Bashllari i tregoi palëve tek Krimet e Rënda për këto njohje. "Ziso Kristopullin e njoh. Në vitin 1962 e kam pasur shok klase në shkollë të mesme të përgjithshme në Shkodër", ka pohuar ai për trupin gjykues. "E njoh Avni Koldashin. E kam pasur koleg në kooperativën e Yrishtit në Kukës. Unë isha kryespecialist aty, ndërsa ai ishte specialist finance. Pasi ika nga Kukësi, unë e lashë atje. Më sa di unë, pas ardhjes në Tiranë ai ka punuar në SHIK", ka vijuar ai. Bashllari ka rrëfyer dje se Kristopullin e kishte takuar edhe me vonë. "Jam takuar me Ziso Kristopullin dhe në kohën që ai punonte në Sarandë si specialist zooteknik, ndërsa unë punoja në Tiranë në ministri. Herën e fundit që e kam takuar mund të ketë 6-7 vjet", është shprehur ai. Për ngjarjen ku Kristopulli është marrë nga agjentët e SHIK nga Ksamili, Bashllari ka treguar për ato që kishte dëgjuar nga vetë miku i tij. "Ziso më ka treguar që e kanë marrë nga Ksamili, dhe e kanë dërguar në Tiranë. Pas mbërritjes në Tiranë më tha që m'i kanë mbyllur sytë dhe pastaj nuk e dija se ku isha", i ka thënë atij Kristopulli. "Ai më pyeti mua, nëse a kishte pasur njeri me mbiemër Koldashi që punojnë tani në SHIK, në kooperativën e Yrishtit në Kukës? I kam thënë që janë dy vetë, Avni Koldashi dhe Nuri Koldashi. Këta dija unë që punonin në këto punë". Gjatë bisedave që kishte bërë me Kristopullin, ky i fundit i ka treguar atij edhe për udhëtimin nën shoqërinë e Avni Koldashit nga Saranda. "Sa kam qenë me Avniun kam qenë në rregull me duar të zgjidhura. Kemi ndaluar diku gjatë rrugës, më duket se në Fier. Kemi ngrënë a kemi pirë nuk e mbaj mend dhe lekët m'i ka paguar Avniu, pasi unë nuk kisha para me vete. Nuk kam asgjë me Avniun. Pasi ka zbritur Avniu më kanë errësuar shikimin", i kishte treguar Kristopulli dëshmitarit Bashhllari.

Agjenti dëshmoi me dyer të mbyllura

TIRANE - Për shkak se të akuzuar në këtë proces janë 4 ish- drejtues të lartë të shërbimit sekret dhe në bankën e dëshmitarëve ulen punonjës të këtij shërbimi, Prokuroria shpesh herë ka kërkuar seancë me "dyer të mbyllura". Kjo për faktin, se një pjesë e mirë e personave të thirrur për të dëshmuar janë ende pjesë e strukturave të shërbimin informativ. Duke gjykuar se dëshmia e tyre mund t'u sjellë pasoja për sigurinë e tyre, apo në dëshmitë e tyre do të ketë të dhëna "sekrete", gjykata ka pranuar kërkesën e palëve për seanca të mbyllura. E tillë u kërkua edhe seanca kur dëshmoi ish-kreu i SHIK, Fatos Klosi. Të pandehurit e çështjes Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen nga Prokuroria për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si edhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Avdul Loshajt, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1995.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›