E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobiten barnatoret

Sami Lushtaku ka urdhëruar gjobitjen me nga 200 euro të të gjitha barnatoreve në Skenderaj që kanë marrë pjesë në grevë më 13 prill. Nëse pagesa nuk bëhet deri të mërkurën, gjoba dyfishohet. Ka reaguar Shoqata e Farmacistëve, por i pari i Komunës nuk i ka rënë pishman për vendimin. Nga Lirita Halili më 19 prill 2011 në ora 11:33

Greva e farmacistëve nuk kaloi pa pasoja për ata të Skenderajt. Të gjithë farmacistët e kësaj komune, që iu bashkuan kolegëve të tyre për të shprehur pakënaqësi ndaj Doganave të Kosovës, u gjobitën nga Komuna.

Tetë nga barnatoret e komunës së Skenderajt janë dënuar me nga 200 euro nga Inspektorati i Komunës si masë ndëshkimi që nuk kanë punuar më 13 prill.

Disa ditë pas grevës, të gjitha barnatoreve Komuna u ka shpërndarë një vendim për dënim nga inspektorët, sipas urdhrit të kryetarit Sami Lushtaku.

“Pas mbylljes së përkohshme, në bazë të procesverbalit me numër 011437 të datës 13 prill për mosrespektim të orarit zyrtar, në bazë të rregullores komunale numër 16/2010, Neni 16, gjobiteni me shumën prej 200 eurove në afat shtatë ditë ose në të kundërtën do të merren masa tjera. Lokali mund të rihapet dhe ta zhvillojë veprimtarinë e tij. Inspektorët Xhafer Dobra dhe Arben Shabani”, thuhet në vendim.

Përveç afatit të pagesës, për të cilin është përcaktuar dita e mërkurë, pronarët e barnatoreve kanë marrë edhe një kërcënim. Nëse pagesa nuk bëhet deri në datën e caktuar, dënimi do të rritet në 400 euro.

Kjo ka bërë që farmacistët të mos kenë zgjidhje tjetër, përveçse ta paguajnë dënimin.
“Po duhet me pagu, nuk kemi tjetër zgjidhje. Ne e kemi përkrahur grevën e Shoqatës së Farmacistëve dhe vetëm ne jemi duke e pësuar, askush tjetër”, thotë një punëtore e barnatores “Visi” në Skenderaj.

Ajo konsideron se vendimi për gjobë është i padrejtë, pasi që mbyllja e barnatores është bërë në shenjë solidarizimi me kolegët tjerë.

Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skenderajt, thotë se nuk është bërë aspak pishman për vendimin që e ka marrë. Sipas tij, Komuna nuk ka marrë asnjë njoftim nga Prishtina për mbylljen e barnatoreve shkaku i grevës.

“Mua më kanë telefonuar qytetarët dhe më janë ankuar se po u rrezikohet shëndeti dhe jeta. Kjo gjendje më ka shtyrë që të urdhëroj inspektorët e Komunës t’i ndëshkojnë ato barnatore”, thotë Lushtaku për Express.

Ai nuk ndien keqardhje për ndëshkimin. “Ai është vetëm një dëm i vogël. Farmacistët është dashur që, para se të hyjnë në grevë, të takohen me mua dhe të vendosim që ta lëmë një barnatore kujdestare e jo të rrezikohet ashtu jeta e qytetarëve”.

Por Kadri Bytyqi, kryetari Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, thotë se të gjitha komunat janë informuar nëpërmjet medieve për grevën e organizuar.

“Ne i kemi dërguar një letër kryetarit për çështjen e gjobave dhe po presim të na kthejë përgjigje”, thotë Bytyqi për Express.

Farmacistët e Kosovës ditë më parë kanë mbajtur një grevë 24 orëshe, me mbylljen e të gjitha barnatoreve në vend. Greva ishte kundërpërgjigje për Doganat e Kosovës, që pas një aksioni konfiskoi në të gjitha barnatoret ilaçet pa banderola.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›