E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët e veriut paralajmërojnë bllokim të rrugëve në Beograd

Nga Express më 19 prill 2011 në ora 12:25

Rreth 400 qytetarë serbë kanë protestuar duke shëtitur nga ura kryesore e lumit Ibër e deri te kisha e Shën Dimitrijes në veri të Mitrovicës, me ç’rast kanë ndezur qirinj dhe kanë marrë pjesë në meshën e organizuar.

Këta serbë, në mesin e të cilëve edhe anëtarë të këshillave komunalë të partive të ndryshme në veri, përmes kësaj shëtitje kanë përkrahur kërkesën e liderit serb Tomisllav Nikoliq, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Serbi.

Kryetari paralel në veri të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq tha se janë të gatshëm që nëse paraqitet nevoja, të radikalizojnë protestat dhe t’i bashkohen këshillave tjerë opozitarë, në bllokimin e rrugëve kryesore dhe pjesëve të ndryshme në qendër të Beogradit.

Sipas tij, protestat e tilla do të organizohen edhe ditëve në vijim deri në plotësimin e kërkesave për zgjedhje në Serbi.

Ndryshe, kjo protestë ka përfunduar pa ndonjë incident, derisa gjatë gjithë kohës është vëzhguar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe atyre të EULEX-it. (kp)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›