3 milionë nga pronat
Të hyrat nga Tatimi në Pronë kanë shënuar ngritje rekorde krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2010.
Në periudhën janar-mars 2011 të hyrat nga Tatimi në Pronë kanë tejkaluar çdo parashikim të mundshëm, duke arritur shumën mbi tre milionë euro. Gjatë kësaj periudhe, komunat kanë inkasuar 3 milionë e 095 mijë e683 euro nga Tatimi në Pronë. “Shuma e të hyrave nga Tatimi në Pronë në periudhën janar - mars 2011 është më e lartë se shuma e inkasuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar për 1 milion e 035 mijë e 933, me një rritje për 50 për qind”, ka njoftuar Ministria e Financave.
Pavarësisht progresit të përgjithshëm në grumbullim, progresi individual i komunave është i ndryshueshëm. 27 komuna kanë një përmirësim të konsiderueshëm të arkëtimit, kurse tri komuna kanë rënie në mbledhjen e Tatimit në Pronë.
Komunat, të cilat kanë shënuar progres në arkëtimin e të hyrave nga Tatimi në Pronë janë: Komuna e Novobërdës me një ngritje prej 465 për qind, Shtërpca me 387 për qind, Obiliqi me 171 për qind, Lipjani me 140 për qind, Hani i Elezit me 106 për qind e kështu me radhë.
Tri komunat, të cilat kanë rënie në arkëtimin e të hyrave, janë: Vitia me -6 për qind, Shtimja me -23 për qind dhe Kaçaniku me -42 për qind.