E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjonçaj: Urdhri, veprimtari normale paraprake

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve të selisë rozë, hedh poshtë akuzat ndaj tij, për konflikt interesi me zgjedhjet në parti


"Unë punoj në bashki që nga viti 2007, pra, përpara se Rama të shpallte sërish kandidaturën për kryetar"

"Një veprimtari normale administrative paraprake konform kodit për zgjedhjet në parti". Kështu e ka cilësuar dje kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Socialiste, urdhrin e tij drejtuar strukturave partiake në bazë për të vënë në dispozicion numrin dhe emrat e anëtarëve të partisë që kanë të drejtë vote, si dhe emrat e komisionerëve që mund të jenë pjesë e komisioneve vendore zgjedhore të kësaj force, që do të menaxhojnë dhe procesin elektoral partiak për kreun e partisë. Sipas tij, ky urdhër është nxjerrë në përputhje me dokumentet, mbi të cilat funksionon dhe organizon jetën e saj partiake kjo forcë politike dhe se veprimi i komentuar së fundmi nga individë të ndryshëm brenda saj, si antistatutor, nuk ka qëllim tjetër, veçse të bëjë gati infrastrukturën zgjedhore për garën për kryetar partie.

"Ne kemi një statut dhe një kod të zgjedhjeve në parti dhe veprimtaria e Komisionit Zgjedhor që unë drejtoj, është në funksion të detyrimeve që lindin prej tyre. Ndaj dua të them se letra për të cilën unë akuzohem, është në përputhje me këto dokumente, si një parapërgatitje për organizimin administrativ të këtyre zgjedhjeve. Kjo mbetet paraprake edhe për faktin se ne nuk dimë ende se kur do të mbahen këto zgjedhje. Megjithatë, dua të theksoj se komisionet vendore të nivelit të dytë apo të tretë, nuk janë zgjedhur dhe aq më shumë të jenë konstituuar", - tha Gjonçaj. Ndërkohë, ai ka hedhur poshtë edhe akuzat se, të qenit punonjës i Bashkisë së Tiranës, e vë atë në konflikt interesi me drejtimin e Komisionit të Zgjedhjeve në parti.

Në mënyrë ironike ai shprehet se ka filluar punë në Bashkinë e Tiranës para dy vjetëve, dhe se nuk e dinte se në vitin 2009, eprori i tij në këtë institucion, do të rigaronte për kreun e PS-së. Sipas tij, e drejta për të punuar garantohet me ligj dhe çdo përpjekje për ta lidhur punën e tij në bashki me kandidimin e Ramës për kryetar partie, është dashakeqëse dhe përpjekje për të prishur klimën e paanshmërisë së këtij komisioni.

"Unë punoj në bashki që nga viti 2007, pra, përpara se Rama të shpallte kandidaturën për t'u zgjedhur sërish në krye të PS-së. Dhe në këtë kuptim, një debat i tillë është i kotë", - shprehet Gjonçaj. Madje, ai evidenton faktin se ka drejtuar edhe zgjedhje të tjera në PS, duke qenë njëkohësisht kryetar KZP-je.

Gjatë ditës së djeshme, paraardhësja e tij në këtë post, Zamira Çaka, ka kërkuar dorëheqjen e tij, pasi e ka konsideruar atë si të paanshëm, për shkak të punës që kryen në bashki. Komisioni i Zgjedhjeve i Partisë (KZP) është struktura qendrore përgjegjëse për përgatitjen, organizimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve, sipas parimit "një anëtar një votë".

Në nivel rrethi, ngrihet Komisioni i Zgjedhjeve i Partisë së rrethit (KZPRR). Për çdo bashki e komunë ngrihet KZPB-ja e KZPK-së, ndërsa kur njësia vendore ka më shumë se një vendvotim, ngrihet komisioni i vendvotimit (KVV). KZP-ja përbëhet nga 7 anëtarë, KZPRR-ja, KZPB-ja e KZPK-ja përbëhen nga 5 anëtarë, kurse KVV-të përbëhen nga 3 anëtarë. Mandati i anëtarit të KZP-së është 4 vjet. Funksionimi dhe kompetencat e KZP-së dhe të komisioneve zgjedhore vendore përcaktohen në Kodin e Zgjedhjeve në PSSH.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›