Gjoni: Ju tregoj Amerikën e viteve ‘30
alma mile
Amerika e fillimshekullit XX. Lagje periferike, ku barrakat e drunjta duken sikur rënkojnë nga varfëria. Por çuditërisht shumë shpresë, lutje e këngë drejtuar Zotit. E gjithë kjo atmosferë zhvendoset në Tiranë përmes operës “Porgi dhe Bes”, me muzikë të George Gershwin. Një bashkëpunim shqiptaro-amerikan, i cili ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me iniciativën e piktorit dhe skenografit Andis Gjoni, i cili prej vitesh jeton dhe zhvillon karrierën e tij artistike në New York. Në një intervistë Gjoni tregon më shumë për shfaqjen, konceptin regjisorial dhe skenogfrafik, si dhe projekte të tjera që e presin në New York.
Riktheheni në Tiranë, për të na sjellë një tjetër vepër amerikane, ç’mund të na thoni rreth saj?
Nëse herët e tjera kam ardhur për të sjellë në skenë eksperiencën e muzikalit amerikan, kësaj here bëhet fjalë për një opera të mirëfilltë. Është vepra e famshme e Gershwinit “Porgi dhe Bes” (“Porgy and Bess”), shkruar në 1935. Gershwin u frymëzua nga koret e njerëzve me ngjyrë. Kur kalonte para dyerve të kishave shihte ata si këndonin, aq të gjallë, plot jetë, spiritualizëm. Kjo i mbeti në mendje, dhe kur në dorë i ra libri i Dubose Heyëard, me të cilin bashkëpunoi për libretin, u ul të shkruante operën. Kjo vepër përfaqëson momentin e kalimit nga opera klasike në atë moderne dhe ai ka bërë një gërshetim mes xhazit, këngëve zezake dhe arranxhimit klasik. Fatkeqësisht ai vdiq shumë i ri, por vlerësohet shumë, sepse edhe ato pak që ka shkruar, tregoi gjeninë e tij si kompozitor, si orkestrues i jashtëzakonshëm. Një arie e famshme e kësaj opere e që e njohin të gjithë është “Summer Time”, por edhe arie të tjera, të dëgjuara që do kenë një impakt te publiku i Tiranës.
Kësaj here ju shohim jo vetëm si skenograf, por edhe si regjisor...
Është një përgjegjësi e shumëfishtë këtë herë, por kjo erdhi e natyrshme. Kur i dedikohesh shumë teatrit dhe kur ndjen se ke arritur në një pikë pjekurie, kërkon të japësh më shumë. Punën e regjisorit e kam ndarë me Lawrence Craig dhe jam marrë më shumë me skenën dhe kostumet. Por edhe me përkthimin, pasi sa herë që sjell një pjesë këtu, preferoj t’i përkthej vetë, pasi nuk do doja që në momentin e fundit të thuhej se nuk ka përkthyes dhe për publikun të shfaqen vetëm disa fraza. Janë vepra të vështira dhe ka nevojë për përkthim. Kështu që e mora me dëshirën time edhe këtë rol, në mënyrë që ajo të dilte sa më e plotë.
Si do vijë nga ana skenike dhe regjisoriale kjo vepër?
Pa dashur të zbuloj shumë sekrete, do thosha që trajtimi skenografik i afrohet atij kubist. Përbëhet nga struktura të brishta. Ngjarjet zhvillohen në një lagje të varfër zezake, me barraka druri, ku jetojnë njerëz me një botë shpirtërore shumë të madhe. Ata besojnë shumë tek Zoti dhe shpresojnë tek një e ardhme më e mirë. Shtëpitë e tyre duket sikur do bien nga momenti në moment. Dhe kjo jo pa qëllim. Në fundin e aktit të dytë, aty ndodh një furtunë e madhe dhe ata të gjithë gjenden në një dhomë, tavani i së cilës duket sikur do t’i zërë poshtë dhe luten, që zoti t’i shpëtojë nga “Katrina”, nga shkatërrimi.. Duke qenë se kësaj here bëj edhe rolin e regjisorit, e kisha të ngulitur mirë në kokë konceptin regjisorial dhe ndërtimi i skenografisë erdhi më natyrshëm. Për të marrë atë ndjesinë e vërtetë të këtyre ambienteve shkova në Charlston, një qytet në Karolinën e Jugut. Atje ka qenë edhe Gershwini dhe shkova për të parë rrugët, kishat, pemët karakteristike, të cilat unë i kam përfshirë në skenografinë e aktit të dytë. Janë ca pemë që rriten në Amerikën e Jugut dhe nuk i gjen askund tjetër. Kjo vizitë me ndihmoi shumë. Shkova edhe tek varri i Porgit. Sigurisht që gjithçka kishte ndryshuar që nga koha e Gershwinit, por pemët kishin mbetur.
Si po shkon bashkëpunimi mes stafit amerikan dhe atij shqiptar?
Deri tani çdo gjë ka shkuar shumë mirë. Artistët amerikanë që kanë ardhur janë të një cilësie të jashtëzakonshme, pasi “Porgi dhe Bes” është një opera që realizohet vetëm nga këngëtarë me ngjyrë. Gershwin e ka lënë me testament këtë dhe na u desh të merrnim leje te pasardhësit e Gershwinit. Mu desh të bëja një letër të gjatë e të bukur e t’u shpjegoja që ne nuk kemi njerëz me ngjyrë këtu dhe të na jepnin leje që ta bënim veprën me këngëtarë të përzierë. Ata na dhanë leje. Këtë e thashë për të treguar që këngëtarët me ngjyrë janë shumë të përgatitur, sepse është opera e tyre. Janë këngëtarë të kalibrit ndërkombëtar dhe kur kanë ardhur këtu, kanë gjetur këngëtarë po kaq të mirë. Sa i përket bashkëpunimit me Teatrin e Operës, për mua ka qenë gjithnjë shumë i mirë. Janë të gjithë të dedikuar, të gatshëm për të ndihmuar dhe për të dhënë maksimumin. Një meritë të madhe ka mjeshtri Zhani Ciko, për vizionin që ka dhe mënyrat që gjen për të realizuar vepra të reja dhe të vështira.
Sapo jeni kthyer nga një aktivitet i rëndësishëm operistik...
Sapo jam kthyer nga festivali “Destinacioni opera” në New Jersi me Jason Tramm, që është edhe dirigjenti i operës që po vemë dhe drejtor artistik i Operës së New Jerseyt. Realizova regjinë dhe skenografinë e operës “La serva padrona” të Pergolesit. Është një opera e vogël, me tre karaktere, por komike dhe shumë interesante. Zakonisht vihet në stilin e kohës kur ajo është krijuar, por vizioni im ishte ndryshe dhe e solla në kohë, në fillim të ‘900-ës. Shfaqja doli shumë mirë dhe pata mundësi të kontaktoj me shumë artistë për projekte të reja, madje mendojmë të kemi edhe një lidhje me TKOB-in, për shkëmbim artistësh. Kam pasur edhe shumë projekte të tjera. Një vit më parë mora edhe një çmim në NY Musical Festival. Është shumë mirë kur puna që bën me pasion edhe shpërblehet, pasi në këtë mënyrë merr edhe një nxitje më shumë për të punuar.
Ç’projekte ju presin sa të ktheheni në NY?
Sapo të kthehem mendoj të bëj regjinë e “Porgy dhe bess”, por në formën e një koncerti. Do kem një bashkëpunim për Operën “Toska” me operën e New jersey-t, një projekt shumë i madh që kërkon një periudhë të gjatë përgatitore. Ndërkohë po përgatis një ekspozitë me instalacione dhe piktura në New York.
Historiku
Për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit ngjitet një ndër operat më popullore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për një bashkëpunim shqiptaro- amerikan. Me regji, skenografi dhe kostumografi të Andis Gjonit, artist i njohur shqiptar, që prej vitesh punon në skenat më të njohura të Nju Jork, “Porgy and Bess”, do të dirigjohet nga amerikani Jason Tramm, drejtor artistik i Operas së Nju Xhersit, ndërsa asistent i tij do të jetë Edmond Doko. Në këtë ndërmarrje të dytë si regjisor, Andis Gjoni, bashkëpunon me regjisorin Lawrence Craig. Sipas Drejtorit të TKOB, Zhani Ciko “realizimi i kësaj pjese operistike është një ëndërr e 38 viteve më parë”. Opera “Porgy and Bess” bazohet mbi romanin “Porgy” të Dubose Heyëard, në të cilin përshkruhet jeta e afroamerikanëve në fillim të viteve 1930. Në qendër të saj është Porgi, një njeri me ngjyrë që jeton në Karolinën e Jugut dhe përpjekjet e tij për të larguar Bes-in nga ndikimi i një njeriu të dhunshëm dhe posesiv si i dashuri i saj, Kroun dhe nga një shpërndarës droge. Kjo pjesë është vënë për herë të parë në skenë në vjeshtën e vitit 1935, dhe prej asaj kohe është cilësuar si një nga operat më popullore në Amerikë. Në fillimet e veta, vepra nuk është pritur mirë në SHBA, pasi është konsideruar si një vepër raciste, ndërsa më vonë, pas viteve 1970 ajo ka shëtitur në skenat e mbarë botës, duke u bërë pjesë e repertorit më të njohur operistik.