E Diel, 1 Nëntor 2026

Kultura austriake, një javë në “Mozaik”

 

Koncerte, performanca, seminare... “Mozaik”, një projekt i përbashkët austriako-shqiptar, prezanton në Tiranë javën e kulturës austriake. Sipas organizatorëve, projekti “Mozaik” synon të mbështesë pedagogë, studentë dhe nxënës të të gjitha gjinive të artit e të muzikës, si dhe artistë e muzikantë profesionistë, duke i përballur me kërkesat e reja të pedagogjisë dhe artit bashkëkohor. Sipas Rektorit të Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, “prania në Shqipëri për të disatin vit e profesorëve dhe artistëve austriakë, është njëkohësisht edhe shprehje e rëndësishme me të cilën partnerët europianë shikojnë zhvillimin e marrëdhënieve me Akademinë e Arteve të Tiranës”. Përgjatë një jave do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, si performanca audio vizuale “Sounds and space”, mbrëmje xhazi me Ernesto Molinari dhe Fatos Qerimi, koncerti i ansamblit “Labyrinthe”, ekspozita “Call it by name” i piktores Marie Alice Sorieul, etj. “Mozaik” është një projekt austriako-shqiptar, i cili ka nisur në vitin 2007, me mbështetjen e Ministrisë së Marrëdhënieve Europiane dhe Internacionale të Austrisë, Ambasadës Austriake në Tiranë dhe Fondacionit “Ulysses” në Shqipëri, me objektiv mbështetjen e artit, kulturës dhe arsimit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›