E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, tërhiqet Delijorgji,nuk pranon aktet e dosjes

 

Armand Bajrami

Mihal Delijorgji, një nga të akuzuarit kryesorë të Prokurorisë për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, tërhiqet nga kërkesa për gjykim të shkurtuar. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe të pandehurit Dritan Minxolli e Lavdi Shatro, ndërsa Agim Lala rikonfirmoi kërkesën për gjykim të shkurtuar. Tërheqja nga ideja e kërkesës së gjykimit me kohë të shkurtuar, prej së cilës të pandehurit do të përfitonin uljen e një të tretës së dënimit, u bë e ditur në seancën e djeshme të dosjes “Gërdeci II” në Gjykatën e Tiranës. Ndërkohë që gjykata nuk mundi të vazhdojë më tej me zhvillimin normal të seancës, për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve mbrojtës. Avokatja, me të cilën i munguari u zëvendësua, pretendoi se duhej të njihej me dosjen dhe gjykata i dha dy ditë kohë, duke shtyrë seancën për ditën e mërkurë. Avokatë kryesisht të njohur me dosjen, të cilët janë në dispozicion të procesit, kanë shkaktuar debat mes avokatëve dhe gjykatës. Kjo pasi, sipas avokatëve, dosja “brenda së cilës ka sekrete shtetërore lihet në duar të njerëzve që janë jashtë procesit”. I pranishëm në seancë ndodhej një prej të pandehurve të arrestuar, Sokol Gjeci.
TERHEQJA
Një seancë me parë avokatët mbrojtës të të pandehurve, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, Lavdi Shatro dhe Agim Lala, kërkuan shtyrje të seancë për t’u konsultuar me klientët e tyre në lidhje me kërkesën e gjykimit të shkurtuar. Në seancën e djeshme, mbrojtësit ligjorë të Delijorgjit, Minxollit dhe Shatros, nuk e bënë një kërkesë të tillë. Sipas tyre, dosja nuk mund të gjykohej në gjendjen që kanë aktet, pasi vetë ata i kishin kërkuar më parë gjykatës pavlefshmëri për disa prej akteve në dosje. “Ne kemi kërkuar pavlefshmërinë për aktet e ekspertimit, çka do të thotë se nuk mund të paraqesim kërkesë për gjykim të shkurtuar”, pohoi dje përpara treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, avokati Maks Haxhia. Vetëm i pandehuri, Agim Lala, i dha dje formë ligjore kërkesë së tij për gjykim në gjendjen aktuale në të cilën ndodhen aktet e dosjes. Mbrojtësi ligjor i gjeneralit Lala pohoi dje se klienti i tij kërkonte gjykim me kohë të shkurtuar, pa pranuar fajësinë në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.
Pak ditë më parë familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit depozituan në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal, ku kërkojnë rihapjen e çështjes në ngarkim të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›