“Uliksi” i Xhojsit vjen për herë të tretë
Shtëpia botuese “Zenit” hedh në treg botimin e tretë të një prej veprave më të mëdha të letërsisë botërore “Uliksi” i Xhejms Xhojsit (James Joyce). Bëhet fjalë për përkthimin e Idlir azizit, i cili na e solli në shqip këtë vepër të vështirë, disa vite më parë. Sipas botuesit, Krenar Zejno, ky botim i tretë vjen i rishikuar, i riparë. “Normale kjo për çdo përkthyes, studiues të tij. Këta vijojnë ende të gërmojnë, gërmëzojnë e të na kallëzojnë, mbi atë çka thur polisemia verbale e polifonia xhojsiane; shpengimi i asociiimit mendor, memories dhe fjalërimit ndër belbëzim dyfish e të njëkohshëm, nën magjinë e të folurit tok me të menduarit diç tjetër ndërkohë. Por, shpesh, edhe duke u marrë e marrosur me korpusin e tij si një Gjithçka e përcaktuar, e paracaktuar. Pra, bashkësia e të tërës, të përgjithës me çikërimat e rimat mes tyre, ku asgjë nuk shpërfaq ndonjë ngrehinë ose, më saktë, asgjëja bëhet qiellgërvishës”, - thotë Zejno.