I riu kapet me drogë para shkollës 9-vjeçare
TIRANE-Kapet me drogë para një shkolle 9-vjeçare në kryeqytet, policia arreston një të ri. Policia e Tiranës njoftoi dje se, specialistët e seksionit Kundër Narkotikëve kryen arrestimin në flagrancë të Aleksandër Hoxhallarit, 27 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë. Prangosja e tij u bë tri ditë më parë, pasi u kap në flagrancë në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Hasan Vogli” në Tiranë, ku dyshohet se po tentonte të tregtonte lëndë narkotike, të llojit heroinë dhe kokainë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij dhe automjetit me të cilën udhëtonte, tip “Volsvagen”, me targë TR 2120 J, iu gjetën 19 porcione të mbështjella, me letër ngjyrë kafe dhe brenda tyre kishte 7.4 gramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë, si dhe 2 doza pluhur të dyshuar kokainë, në sasinë 1.2 gramë. Policia njoftoi se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7,4 gram lëndë, e dyshuar narkotike e llojit heroinë e ndarë në 19 porcione, 1,2 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, e ndarë në 2 porcione, tre aparate telefoni celularë, automjeti tip “Volsvagen”, si dhe shuma prej rreth 360 mijë lekësh. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.