E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoni: “Ligji për SHISH-in, Berisha të heqë dorë nga skenari antidemokratik”



Partia Socialiste ka shprehur sërish shqetësimin për kontrollin e qeverisë ndaj Shërbimit Informativ të Shtetit. Deputeti Ilir Gjoni i bëri thirrje dje kryeministrit Sali Berisha që të heqë dorë nga ky skenar antidemokratik. Ai sqaroi se ndryshimet e propozuara për SHISH-in nuk janë të domosdoshme, pasi ligji aktual nuk e pengon Shërbimin (SHISH-in) që të merret me mbledhjen e informacioneve dhe përgatitjen e tyre për qeverinë nëse ka një kërkesë nga ana kryeministrit ose dhe presidentit. Në këtë kontekst, Gjoni tha se kjo veprimtari cenon sigurinë kombëtare. “Për mbledhjen dhe ndjekjen e krimit të korrupsionit dhe nëndarjeve të tij, shteti ka struktura të posaçme si në Polici, Prokurori etj. Me ndryshimet e propozuara, Shërbimi Informativ Shtetëror kthehet në një zëvendësues të këtyre të tjerave, kur në fakt shërbimi i inteligjencës dhe ai i kundër inteligjencës janë për të siguruar kombin dhe shtetin nga kërcënimet e huaja, kryesisht kërcënimet e reja asimetrike”, - u shpreh Gjoni. Sipas tij, vendosja e afatit kohor për mandatin e drejtorit të Shërbimit bëhet me qëllimin e vetëm të zëvendësimit të tij me ndonjë tjetër që të merret dhe drejtohet siç e dëshiron ai që po e propozon, pra, Sali Berisha. Ai theksoi se diskutimi publik i rolit të inteligjencës shërben për një numër të rëndësishëm qëllimesh, siç është largimi i çdo misteri për shërbimet e inteligjencës si dhe lejon pjesën tjetër të shoqërisë që nuk është pjesë e këtij komuniteti (shërbimi), të vlerësojnë në mënyrë më realiste nevojën dhe vlerat që ka inteligjenca për vendin. Në vijim, Gjoni tha se kjo shërben për krijimin e mundësive ligjore për civilët (edhe në sferën politike), që të kenë njohjen për ta drejtuar dhe kontrolluar, për ata që dëshirojnë që të bëhen specialistë të inteligjencës në këto shërbime, si dhe ushtrimi i presionit demokratik mbi qeverinë që veprimtaria e shërbimeve të inteligjencës të jetë sa më transparente dhe brenda kuadrit demokratik të shtetit ligjor. “Të gjithë e dimë se SHISH trashëgoi një emër të keq nga Sigurimi, por e thelloi atë edhe me gabimet e rënda që bëri në periudhën 1996-1997. Ristrukturimi i tij në vitet 1998-2002 si në baza ligjore, ashtu edhe sa i përket përcaktimit të misionit dhe detyrave që duhej të kryente, u bë nga partnerët tanë kryesorë dhe zoti Berisha e di shumë mirë”, - u shpreh Gjoni. Sipas tij, të gjitha sugjerimet e rekomandimet e maxhorancës kanë pasur si qëllim nxjerrjen e tij nga llumi ku kishte rënë, vënien në pozita pune duke luajtur një rol sa më transparent e demokratik. Sfida që ai po përpiqet të bëjë rishtazi është reminishencë e periudhës donkishoteske kur Berisha i kishte hipur gomarit së prapthi. “Shurdhëria e qëllimtë e Berishës dhe e deputetëve të tij ndaj apelit të opozitës dhe, mbi të gjitha, ndaj partnerëve ndërkombëtarë, është me pasoja të rënda për funksionimin demokratik të këtij institucioni, i cili edhe më parë ka qenë viktimë e keqpërdorimit politik nga ana e Sali Berishës”, - tha Gjoni.

11 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›