E Diel, 1 Nëntor 2026

PSE: “Shqetësues manipulimi elektoral i votave në fshatin Ruzhdie”

Shultz: “Komision hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit përmes hapjes së kutive”

Partitë Socialiste Europiane, duke marrë shkas edhe nga takimi që zhvilluan me kryetarin e Partisë Socialiste shqiptare, Edi Rama në Strasburg, dje, përmes një deklarate, kanë dhënë përshtypjet e tyre mbi situatën politike në Shqipëri. Zhgënjime dhe shqetësime të sinqerta u shprehën për konkluzionet e hetimit të Prokurorisë për manipulimin elektoral në fshatin Ruzhdie (qarku Fier), ku është gjetur se 70% e votave janë manipuluar. Partitë Socialiste Europiane janë shprehur se edhe nëse ky do të ishte një rast i izoluar i manipulimit elektoral, ky rast do të ishte sërish shumë. Në sferën e transparencës së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, PSE kanë nënvizuar faktin se kreu i PS-së, Rama, pranon vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas zgjedhjeve dhe që nuk është objektivi i partisë së tij të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve.
Deklarata
PSE-të kanë dhënë një kronologji të takimeve të Ramës gjatë qëndrimit të tij në Strasburg. Në kuadrin e zhvillimeve të takimeve të kryesocialistit, PSE-të bëjnë të ditur se në datat 9 dhe 10 mars 2010, Rama, vizitoi Parlamentin Europian në Strasburg dhe u takua me drejtuesit e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve dhe gjithashtu mbajti një fjalim në mbledhjen e Grupit të Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve. Gjatë këtyre takimeve, kryetari i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, Martin Shultz, mirëpriti kthimin e deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, sikurse shpreson që partitë e qeverisë shqiptare do t’u japin tashmë një përgjigje pozitive kërkesave të opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, përfshirë hapjen e kutive të votimit, për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ato nënvizojnë se vetëm në këtë mënyrë një bazë e re për dialog konstruktiv, ndërmjet qeverisë dhe opozitës, në këndvështrim të forcimit të procesit të integrimit europian të vendit, mund të vendoset.
Bisedimet
Në diskutimet e zhvilluara u nënvizua që partitë në Kuvendin e Shqipërisë duhet të marrin kohë të mjaftueshme për të arritur një zgjidhje të balancuar për krizën aktuale politike në vend. Zëvendëspresidentët e Grupit, Severin dhe Svoboda, deklaruan dëshirën e tyre së bashku me kolegët e tyre nga Grupi i PPE-së në Parlamentin Europian, për të vizituar Shqipërinë dhe të zhvillojnë bisedime me të gjitha partitë për të ndihmuar gjetjen e një marrëveshjeje për një zgjidhje të balancuar. Gjithashtu, duhet nënvizuar se disa çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë u diskutuan gjatë këtyre takimeve, përfshirë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

11 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›