Komisioni i Ligjeve miraton 8 amendamentet e SHISH-it për ligjin e ri
Eljona Ballhysa
Komisioni Parlamentar i Ligjeve, në prani të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, miratoi dje projektligjin për funksionimin e këtij institucioni. Miratimi i këtij drafti u realizua vetëm nga votat e deputetëve të Partisë Demokratike për shkak se në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve mungonin deputetët e Partisë Socialiste. Drejtori i Përgjithshëm i SHISH-it, në fjalën e tij në fillim të mbledhjes së Komisionit bëri të ditur propozimet e këtij institucioni për ndryshimet në ligj. Bahri Shaqiri u shpreh pro propozimeve të Këshillit të Ministrave për kufizimin e mandatit të drejtorit të SHISH-it, ndërsa kërkoi zgjerimin e hapësirës së hetimit nga SHISH-i dhe shtrirjen e këtij shërbimi dhe jashtë shtetit. Me kërkesë të drejtorit të SHISH-it mbledhja e Komisionit të Ligjeve u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa në përfundim deputetët demokratë kanë miratuar projektin përfundimtar duke pranuar shumicën e kërkesave të SHISH-it.
Propozimet
Në fjalën e tij Shaqiri u shpreh se amendimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror lindin si domosdoshmëri për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe përpjekjet për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së. Ai bëri të ditur se me kërkesë të kryeministrit Berisha, SHISH ngriti një grup pune që hartoi disa propozime për ndryshimet në ligj. Sipas tij, në takimin me kryeministrin Berisha janë marrë në konsideratë disa nga këto propozime, ndërkohë që Shaqiri kërkoi që të merren në konsideratë dhe disa amendime të tjera. “Këto amendime konsistojnë në shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme. Së pari, saktësimin e emërtimit të SHISH-it në ligj. Së dyti, kryerjen e veprimtarisë së zbulimit jashtë vendit, që do të thotë që në kushtet e reja, SHISH-i mund të kryejë kontrolle tekniko-informative edhe jashtë territorit të vendit. Së treti, kryerjen e veprimtarive të kundërzbulimit brenda vendit. Së katërti, nxjerrjen e informacionit mbi terrorizmin edhe për individë, grupe apo organizata që i mbështesin apo i financojnë ato. Së pesti, nxjerrjen e informacionit për krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën, pastrimin e parave dhe të gjitha llojet e trafikimit të paligjshëm. Së gjashti, parashikimin e verifikimit të pastërtisë së sigurisë, dhënien e certifikatës së sigurisë”, - është shprehur Shaqiri duke e konsideruar këtë një detyrim që rrjedh nga anëtarësimi i vendit tonë në NATO. “Së shtati, mbrojtjen e sigurisë së SHISH-it duke shtuar mbrojtjen e operacioneve që bëhen edhe nga struktura ilegale për përpjekjet dhe pajisjet që kanë të bëjnë me shërbimet informative të SHISH-it. Parashikimi i kësaj detyre, rregullat dhe procedurat të propozohen nga drejtori i SHISH-it dhe të miratohen nga kryeministri. Kjo do të ndihmonte jo vetëm në realizimin e detyrave nga punonjësit e SHISH-it, por edhe në kontrollin efikas të tyre gjatë kësaj veprimtarie. Së teti, kërkimin e informacionit nga punonjësit e institucioneve publike vendore, qendrore e private për realizimin e detyrave të parashikuara në ligj, në funksion të mbrojtjes së sigurisë kombëtare. Kjo do të realizohet me autorizim të drejtorit të SHISH-it. Pjesa dërrmuese e këtyre propozimeve të bëra nga SHISH-i janë marrë parasysh në draftin e paraqitur, por ka edhe elemente të tjera, të cilat, për mendimin tim, duhet të diskutohen, por duke qenë se diskutimi mund të hyjë në elemente teknike, do të dëshiroja që mbledhja të bëhej më dyer të mbyllura”, - përfundoi Shaqiri. Më pas mbledhja e Komisionit të Ligjeve vazhdoi me dyer të mbyllura përreth dy orë.
Projektligji
Në përfundim deputetët demokratë miratuan projektligjin duke marrë në konsideratë propozimet e SHISH-it. Kështu, në draftin përfundimtar të përbërë nga 10 nene, është parashikuar se “Shërbimi Informativ i Shtetit ka për mision të sigurojë informacionin e domosdoshëm, nga jashtë dhe brenda vendit, për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar. Shërbimi Informativ i Shtetit kryen detyrat e mëposhtme: Mbledh informacion dhe kryen veprimtari zbulimi për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, në funksion të sigurimit kombëtar; mbledh informacion dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues; mbledh informacion për terrorizmin, për individë, grupe apo organizata që mbështesin e financojnë atë; mbledh informacion për prodhimin, trafikimin e armëve, e lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe krimeve kundër mjedisit; mbledh informacion që i shërben zbulimit apo parandalimit të krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike kur ky korrupsion cenon sigurimin kombëtar; mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve, të aseteve dhe të teknikës me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve.
kryen certifikimin e personave (Vetting), sipas përcaktimeve përkatëse ligjore;
kryen veprimtari mbështetëse tekniko - administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme. SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme”, - shkruhet në draftin përfundimtar ku është parashikuar dhe kufizimi i mandatit të drejtorit të SHISH-it, ashtu sikurse ishte në draftin e mëparshëm të propozuar nga qeveria.
BOX
Propozimet e SHISH-it
1- Saktësimin e emërtimit të SHISH-it në ligj.
2- Kryerjen e veprimtarisë së zbulimit jashtë vendit.
3- Kryerjen e veprimtarive të kundërzbulimit brenda vendit.
4- Nxjerrjen e informacionit mbi terrorizmin edhe për individë, grupe apo organizata që i mbështesin apo i financojnë ato.
5- Nxjerrjen i informacionit për krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën, pastrimin e parave dhe të gjitha llojet e trafikimit të paligjshëm.
6- Parashikimin e verifikimit të pastërtisë së sigurisë dhënien e certifikatës së sigurisë.
7- Mbrojtjen e sigurisë së SHISH-it duke shtuar mbrojtjen e operacioneve që bëhen edhe nga struktura ilegale për mjetet dhe pajisjet që kanë të bëjnë me shërbimet informative të SHISH-it.
8- Kërkimin e informacionit nga punonjësit e institucioneve publike vendore dhe qendrore e private për realizimin e detyrave të parashikuara në ligj në funksion të mbrojtjes së sigurisë kombëtare.
11 Mars 2010