Strasburg, Rama: “Mbështetje nga PE-ja për transparencën e zgjedhjeve dhe vizat”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një interviste dhënë për mediat në Strasburg, ka nënvizuar se në takimet e zhvilluara apo në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist dhe Demokrat në Parlamentin Europian ka theksuar se transparenca e zgjedhjeve të shkuara nuk do të lejojë që zgjedhjet e ardhshme t'u ngjajnë atyre të shkuarave. Njëkohësisht ai ka shprehur dëshirën për një liberalizim të menjëhershëm të vizave për të gjithë shqiptarët. “Është shumë e rëndësishme që Europa ta mbështesë procesin e transparencës; Europa ta mbështesë betejën me korrupsionin elektoral; Europa ta mbështesë problemin madhor të ndarjes nga një e shkuar dramatike zgjedhjesh të deformuara e të kontestuara”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “ashtu sikundër është shumë e rëndësishme që Europa e gjitha ta mbështesë lëvizjen e lirë të shqiptarëve, sepse shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të paguajnë më për një politikë të vjetër dhe të verbër që i mban ende mbyllur, i mban ende të izoluar në mes të një Ballkani që është çliruar përfundimisht, ku të gjithë lëvizin lirisht”.
Rama tha se iu drejtua Grupit Socialist Europian për të mbështetur këto çështje themelore. Më tej ai tha se komunikoi me përfaqësues të lartë të PE-së për t’u shpjeguar atyre se sa e rëndësishme, se sa jetike, se sa e domosdoshme është për Shqipërinë e nesërme europiane transparenca e sotme e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive. “E vërteta rrëqethëse e Ruzhdies duhet të dalë në dritë në të gjitha Ruzhdiet e tjera anembanë Shqipërisë dhe ku Shqipëria duhet të ndahet njëherë e mirë nga kjo praktikë e shëmtuar dhe e patolerueshme. E përsëris, Shqipëria duhet njëkohësisht t’u bashkëngjitet të gjitha vendeve të tjera që lëvizin sot lirisht nëpër Europë”, - tha Rama.
11 Mars 2010