E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pranga 2 trafikantë droge dhe makinash

11/03/2010 Aksionet u realizuan nga policia e Fierit, të arrestuarit nuk bënë rezistencë

Të dy këta persona ishin shpallur në kërkim prej disa muajsh nga policia

FIER- Dy shtetas të shpallur persona në kërkim për shpërndarje droge dhe trafik të mjeteve motorike janë ndaluar mëngjesin e ditës së djeshme nga efektivat e komisariatit të policisë së Fierit. Burimet zyrtare të policisë lokale thanë dje se rreth orës 10.00 është ndaluar 23-vjeçari Denis Mërnica, banues në fshatin Sulaj, 6 km në veri-perëndim të qytetit të Fierit. Ndalimi i tij u bë pas një pune të mirëorganizuar hetimore duke vlerësuar të gjitha operacionet e marra në rrugë operative. Sipas burimeve policore, mësohet se Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Tiranë, kishte dhënë vendimin e dënimit në mungesë me 4 vjet burg për Mërnicën. Të njëjtat burime saktësojnë se Mërnica është gjykuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Gjatë momentit të ndalimit 23-vjeçari nuk ka bërë rezistencë dhe i është bindur urdhrit të uniformave blu. Burimet e policisë lokale pohojnë se një tjetër shtetas nga qyteti i Fierit është ndaluar mëngjesin e ditës së mërkurë. Pëllumb Methoxha 40 vjeç dyshohet të jetë përfshirë në trafikun e mjeteve motorike të vjedhura dhe në falsifikime të shasive, si dhe dokumentacionit të makinave. Sipas burimeve policore, gjurmët e hetimit të falsifikimit të shasive të disa makinave të vjedhura çojnë tek Methoxha. “Policia ka nisur një hetim për mjetet e vjedhura dhe që janë futur ilegalisht me dokumente të falsifikuara në qytetin e Fierit. Pas një pune disa mujore informacionesh të mara në rrugë operative, suvejimesh dhe përgjimesh u mundësua ndalimi i 40-vjeçarit Methoxha”,-u shprehën burimet policore.

A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›