E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoni: “Vendimi i BE, sinjal pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor”

Autori i Lajmit: Redaksia
Vendimi i Bashkimit Evropian për të liberalizuar vizat me tre shtete ballkanike, dy prej të cilave fqinje me ne, ka sjellë një reagim zyrtar sonte nga Ministria e Punëve të Jashtme. Përmes zëdhënësit Ralf Gjoni, kjo ministri përshëndet miratimin nga ana e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE të propozimit të Komisionit për heqjen e vizave Shengen me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. “Sigurisht që ky është një sinjal shumë pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor si dhe për objektivat tona të përbashkëta integruese në BE”, - tha Gjoni. Ai shtoi se “kam besim se shumë shpejt, do të kemi një propozim nga Komisioni për Shqipërinë, duke pasur parasysh se ecuria e përmbushjes së kritereve nga ana jonë është optimale”. Le të mos harrojmë, - vijoi Gjoni, - pikënisjen e Shqipërisë në raport me fqinjët e saj të ish-Jugosllavisë, dhe të shohim qartë progresin konkret që është bërë në vendin tonë përgjatë viteve. Duke përfunduar, Gjoni siguroi se “ne po punojmë fort si brenda, ashtu edhe jashtë vendit që brenda vitit 2010 tu mundësojmë qytetarëve shqiptarë lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen”.

Ky lajm është publikuar: 01/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›