E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: “Nuk ndalemi pa hapur kutitë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste i ka cilësuar të padenja e monstruoze akuzat e Berishës në adresë të familjes së kreut të opozitës Edi Rama. Pas deklaratave të ditëve të fundit të bëra nga Kreu i Qeverisë, por dhe nga eksponentë të tjerë të lartë të mazhorancës qeverisëse, ka reaguar nëpërmjet deputetes Arta Dade. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS tha se këto shpifje nuk e shpëtojnë Berishën nga zbardhja e krimit elektoral, ndërsa theksoi se opozita është e vendosur në aksionin politik për zbardhjen e asaj që socialistët e quajnë krim elektoral të 28 Qershorit. Ajo shtoi se PS nuk ka cenuar asnjëherë jetën private të kryeministrit Sali Berisha apo familjarëve të tij, por thjesht ka bërë publike fakte që lidhen direkt me interesat e shqiptarëve.

Deklarata

“Ditët e fundit, Sali Berisha i është vërsulur me tërbim opozitës me shpifje të padenja për një kryeministër. Ai nuk ka kurajo të ballafaqohet me të vërtetën e kutive të votimit dhe rreket të tërheqë opinionin publik me baltën e shpifjeve ndaj liderit të opozitës”, - tha dje Dade. Ajo theksoi se Sali Berisha nuk mund të mbulojë krimin dhe korrupsionin elektoral duke u futur në familjet e në shtëpitë e të tjerëve, gjë që ne nuk e kemi bërë kurrë. “Ne sjemi marrë asnjëherë as me jetën private të Sali Berishës, as me jetën private të familjarëve të tij, po jemi marrë vetëm me kapjen e shtetit për llogari të interesave të pushtetit familjar”, - shtoi ajo. Ligjvënësja socialiste pohoi se asnjë shteg nuk mund të shpëtojë kryeministrin Sali Berisha nga përballja me elektoratin dhe popullin opozitar. “Sali Berisha ta harrojë se mund të gjejë ndonjë shteg për ti shpëtuar ballafaqimit me popullin opozitar, në rast se ai nuk i hap kutitë e votimit. Asgjë nuk e shpëton Berishën, as sulmet ndaj opozitës për ta zmbrapsur atë, përkundrazi bën efektin e kundërt dhe opozita do të mbetet në vazhdim të aksionit të saj politik për hapjen e kutive të votimit. Mjetet që Sali Berisha përdor janë mjete të vjetruara dhe më mirë se kushdo tjetër efektin e tyre e di vetë Sali Berisha”, - përfundoi Dade në kundërpërgjigje të akuzave të kreut të Qeverisë. Debati i ashpër mes socialistëve dhe demokratëve nisi pas akuzave të rënda që kryeministri bëri ndaj Ramës në sallën e Kuvendit. Berisha mori menjëherë kundërpërgjigje nga kryesocialisti, i cili pohoi se reagimi i tij vinte për faktin se ishte i shqetësuar për shëndetin mendor të tij. “Dua të ndaj me të gjithë ju shqetësimin për ekuilibrin mendor të njeriut që ka në dorë qeverinë e Shqipërisë në këto orë të vështira për vendin, për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për ekonominë shqiptare. Vendi është në udhëkryq. Demokracia është në rrezik. Shteti i së drejtës ka rënë. Ekonomia shqiptare po falimenton. Dhe ne të gjithë drejtohemi nga një njeri që, bashkë me ekuilibrin mendor, ka humbur vetë aftësinë për ti fshehur ato që fatkeqësisht mendon me të vërtetë për demokracinë, për lirinë e të drejtat e njerëzve në Shqipëri, për opozitën, për të gjithë ata që thjesht nuk e duan për të parin e vendit dhe për vetë normat më elementare të edukatës qytetare”, - ka pohuar ai. Sipas tij, kohën që opozita i dha për reflektim, Sali Berishës, ai e ktheu kohë për tërbim. “Me të kuptuar se kërkesa për hapjen e kutive të 28 Qershorit nuk ishte asfare një lojë e vogël politike, po një vullnet i madh popullor, Sali Berisha ka humbur krejt fillin e arsyes, është mbërthyer nga paniku i ballafaqimit me popullin e vet dhe është lëshuar në një sulm vetëdiskretitues duke e nxjerrë edhe më shumë në dukje atë që mundohet të fshehë. Sali Berisha i ka grabitur zgjedhjet dhe sot kjo është edhe më e qartë se dje”, - pohoi kryetari socialist. Por Berisha, pa marrë parasysh reagimin, ka vijuar të përsëritë dhe në ditët në vazhdim akuzat e tij.

Ky lajm është publikuar: 01/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›