Gjonikaj: Pres më shumë nga vetja
Nëse luaj me kombëtaren aq minuta sa më takojnë, premtoj se nuk do të zhgënjej njeri, si tifozerinë ashtu dhe trajnerin
Skeda
Emri: Fabio Gjonikaj
Datëlindja: 25. 05. 1995
Vendlindja: Pukë
Vendbanimi: Tiranë
Gjatësia: 1.83 m
Pesha: 68 kg
Ekipi i parë: Tirana U-12
Ekipi aktual: Dinamo U-17
Idhulli: Iker Kasiljas (Real Madrid)
Në ditët e para të merkatos së janarit, kërkesat në klubin e Dinamos për lojtarë të rinj dhe që premtojnë për të ardhmen kanë qenë të shumta. Ndër ta bëhet fjalë edhe për portierin e Dinamos U-17, Fabio Gjonikaj. Ai është stërvitur nga trajnerë me emër në vendin tonë. Në moshën 11-vjeçare ka pasur Perlat Mustën dhe më pas, kur ka shkuar te Tirana, është stërvitur nga Gud Tafajn.
Si pjesëtar i përfaqësueses U-15 është trajnuar nga Bujar Sharra dhe së fundmi nga trajneri i portierëve në kombëtaren A dhe te Dinamo e të rriturve, Ilir Bozhiqi. Ky portier fare i ri në moshë ka bërë dallimin në shumë ndeshje si në kampionatin e moshave në vendin tonë, po ashtu edhe në ndeshjet miqësore ku ka mbrojtur ngjyrat e fanellës së kombëtares.
Në ndeshjen miqësore Maqedoni-Shqipëri (2-0) Gjonikaj është përmendur nga mediat vendase dhe ato të huaja si një lojtar me merita për këtë takim, pasi ekipi ynë kombëtar mund të kishte humbur dhe më thellë, pasi e ka mbrojtur mirë katërkëndëshin. Fabio i bën një përmbledhje të shkurtër jetës së tij për sa i përket futbollit:
Hapat e para në futboll
Kam nisur të merrem me futboll rreth moshës 7-vjeçare. Hapësira ime e parë për të luajtur ka qenë oborri i shtëpisë dhe më pas kam dalë në fushë të madhe. Atëherë mbaj mend që luaja me shokët dhe direkt më ka pëlqyer porta, ndaj dhe nuk i jam ndarë më. Tashmë kanë kaluar shumë vite dhe besoj se si portier mund të bëj më mirë në futboll.
Ekipet ku ka qenë pjesë
Ekipi im i parë zyrtar ka qenë Tirana U-12. Me këtë skuadër kam luajtur deri në moshën 14-vjeçare, pra kur jam larguar nga ekipi U-17 i kësaj skuadre dhe kam shkuar te Partizani U-17. Aty kam pasur trajner Genc Tomorrin. Te Partizani jam aktivizuar për një vit. Në shtator jam bërë pjesë e Dinamos dhe e ndiej veten të kënaqur. Them se do të vazhdoj me këtë skuadër për shumë kohë, sepse ndihem i rehatur këtu. Vetëm një trofe kam fituar me këto ekipe, kur kam qenë me Tiranën në vitin 2009 në kompeticionin e quajtur KOMMIT.
Prova jashtë Shqipërisë
Në maj të vitit që lamë pas, pra rreth 7 muaj më parë, kam shkuar tek ekipi i Pavias në Itali, ku jam provuar për rreth 1 javë. Atje them se më pëlqyen dhe më kërkuan që të qëndroja, por dëshira e familjes dhe imja ishte të qëndroja në Shqipëri dhe të rritesha më shumë profesionalisht dhe në moshë. Ndër të tjera, atje kuptova se edhe këtu në vendin tonë punohet shumë, sepse kishte lojtarë të atij vendi që nuk kishin më shumë rendiment se unë.
E veçantë për Gjonikajn
Në çdo ekip futbolli ku kam luajtur nuk kam qenë me moshën time, pra kanë qenë të një moshe më të madhe se unë. Kjo më ka bërë që të punoj më tepër dhe të arrij që të ndihet ky ndryshim i moshës. I vetmi vit që unë luaj me moshën time është ky te Dinamo.
Aktivizimi në kombëtare
E kam për nder që mbaj veshur fanellën e vendit tim. Kam luajtur me kombëtaren U-15 dhe aty kam pasur trajner Sulejman Demollarin, ndërsa vitin e shkuar jam bërë pjesë e kombëtares U-17. Jam më shumë se i kënaqur edhe pse nuk më kanë dhënë hapësirën e duhur, pra pres më shumë në ndeshjet e ardhshme, por kjo është një zgjedhje e trajnerit të cilën unë nuk e komentoj. Nëse luaj, premtoj se nuk do të zhgënjej njeri, si tifozerinë dhe trajnerin. Kam luajtur 4-5 ndeshje miqësore, kurse zyrtare nuk kam luajtur në asnjë.
E ardhmja
Kam ambicie për të ecur përpara në jetë. Do të kërkoj të bëhem pjesë e një ekipi elitar në Shqipëri, po ashtu edhe të fitoj vendin tim në kombëtaren e moshës që më takon,- përfundon 16-vjeçari Gjonikaj.
Mendimi i trajnerit Xhaferr Lloshi
Portierët në çdo ekip kanë rëndësinë e vet, por Gjonikaj ka qenë deciziv në ekipin tonë në shumë takime. Për më tepër, ky lojtar bie në sy. Edhe një njeri i thjeshtë po ta shohë sesi luan dhe jo më tepër një profesionist, që do të ngulmojë ta vlerësojë me notë pozitive.
Ai po stërvitet me Ilir Bozhiqin, që është një emër i madh në futbollin tone, dhe pa diskutim që nga dita që ka ardhur në ekipin tim e deri sot ai ka pasur rritje në aftësitë profesionale. Për mua Fabio bën pjesë në elementët e perspektivës. Është serioz në punë dhe mendoj që do të arrijë diku shumë më lart po të vazhdojë të punojë kështu.
