Qirjako: Gramozi, domosdoshmërisht në merkato
Trajneri kolojar, Ilir Qirjako, pohon se i duhen patjetër një organizator, një sulmues dhe një portier për fazën e dytë
Ditën e hënë, kolonjarët do të nisin fazën përgatitore të dimrit. Ky fakt konfirmohet për Sportin shqiptar nga trajneri i Gramozit, Ilir Qirjako, i cili shprehet: Më 9 janar do të fillojmë stërvitjen dhe, gjatë kësaj periudhe do të synojmë që futbollistët të arrijë parametrat e duhur për të përballuar betejat e fazës së dytë. Lojtarët, por edhe tifozët e Gramozit, janë ngrohur nga ky lajm.
Sortdashësit kolonjarë presin të shohin gjatë fazës së dytë një ekip ndryshe, që do të jetë në gjendje të ngjisë disa shkallë në tabelën e klasifikimit dhe të mos rrezikojë rënien në kategorinë e dytë, që do të ishte fatale. Duke analizuar paraqitjen e deritanishme të Gramozit, mund të them se nuk kemi marrë rezultatet që priteshin, pasi ekipi është i përbërë nga lojtarë të rinj, disa nga të cilët luanin për herë të parë në kategorinë e parë.
Mendoj se jemi paraqitur mirë, pavarësisht dy humbjeve në fushën tonë me Besëlidhjen dhe Lushnjën, dy ekipe pretendente, ka thënë më tej trajneri kolonjar. Për përforcimet që i duhen Gramozit për fazën e dytë ai heziton të flasë me emra konkretë, por pranon se kërkohet një organizator, një sulmues me përvojë dhe një portier.
Që duhet të bëjmë përforcime, kjo është e padiskutueshme, sepse duam të kemi një ekip më të fortë se i fazës së parë, të aftë për tiu larguar vendeve të fundit. Duke marë ngjeshjen e ekipeve në klasifikim, do të përfitojmë për ti ngjitur shkallët në tabelë, pasi edhe kalendari na favorizon. Në 4 javët e para na takon të luajmë 3 ndeshje në shtëpi. Faza e dytë e kampionatit do të jetë shumë e vështirë, por besoj se Gramozi do të jetë në grupin e ekipeve që do të qëndrojnë në mesin e tabelës.
Për ta arritur këtë na duhen patjetër lojtarë më cilësorë, ka theksuar në fund kreu i stolit kolonjar. Deklaratat e drejtuesve të klubit për përforcimin e Gramozit sikur i kanë qetësuar tifozët kolonjarë, që presin me padurim rindërtimin e ekipit. Deri në këto momente askush nuk është në gjendje të thotë diçka konkrete për përforcimet, sepse më parë duhen siguruar ana financiare, ku kolonjarët shpresojnë për një sponsor të ri.
