E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me kokainë te spitalet, 32-vjeçari

 

TIRANE - Një 32-vjeçar përfundoi në prangat e oficerëve të Antidrogës së Tiranës, gjatë operacionit të koduar "Xhamlliku". Pas hetimeve disa javore, mëngjesin e dy ditëve më parë, policia e kryeqytetit ka mundur të arrestojë Fatos Domin, i cili është kapur me rreth 25 gramë lëndë narkotike, e dyshuar kokainë. Burime nga policia thanë se Domi, person me precedentë të mëparshëm penal, është arrestuar pasi në ambientet e brendshme të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" është kapur me lëndën narkotike. Prangosja e 32-vjeçarit është bërë gjatë operacionit të koduar "Xhamlliku", në rrugën "Sadik Petrela", numër 12, që ndodhet në ambientet e brendshme të QSUT. Burimet nga policia thanë se, ai kishte disa kohë që ishte nën mbikëqyrjen e efektivave blu dhe paraditen e dy ditëve më parë është kapur në momentin kur kishte me vete rreth 25 gramë kokainë që e kishte bërë gati për shitje, duke e ndarë në 25 doza. Operacioni i koduar "Xhamlliku", nuk është mbyllur vetëm me arrestimin e Fatos Domit, pasi hetimet tashmë janë përqendruar në zbulimin e bashkëpunëtorëve të tij dhe personat që e furnizonin me lëndë narkotike. Gjatë ditës së djeshme oficerët e Antidrogës së Tiranës, kanë mbajtur nën mbikëqyrje zonën përreth Qendrës Spitalore "Nënë Tereza", si dhe zonën e "Xhamllikut", ku banonte i arrestuari. Gjithashtu burime nga policia thanë se janë kryer disa kontrolle banesash, por nuk është arritur të zbulohen persona të implikuar, apo lëndë narkotike.          e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›