E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuajnë me armë policinë

Nga Express më 06 gusht 2011 në ora 20:41

Policia në Podujevë ka arrestuar dy hajna, të cilët gjatë ditës së premte kishin vjedhur 4 krerë lopë në Vesekovc të Vushtrrisë.

Ndërkohë që dy të tjerë me 3 lopë tjera, njëri nga të cilët ka shtënë në drejtim të policëve, janë arratisur. Shefi i hetimeve në Stacionin Policor në Podujevë, Ibrahim Metolli, tregon se aksioni për kapjen e hajnave është bërë në koordinim me policinë e Vushtrrisë, nga të cilët edhe u kishte ardhur informacioni se hajnat që kishin vjedhur 7 krerë lopë në Vesekovc janë nisur në drejtim të Podujevës.

“Janë mobilizuar njësitet e policisë në Podujevë dhe në fshatin Potok, afër Gurit të Bardhë, janë arrestuar 2 persona me 4 krerë lopë dhe janë dërguar në Stacionin e Policisë në Vushtrri. Pastaj ka ardhur një informacion se 2 persona tjerë nga Potoku janë nisur në drejtim fshatit Popovë dhe në hyrje të këtij fshati në lagjen Segaçë janë parë ata me 3 krerë lopë.

Policia i ka urdhëruar të ndalen, por njëri nga ta ka shtënë me armë në drejtim të policisë dhe janë arratisur”, ka theksuar togeri Metolli.

Shefi i hetimeve ka thënë se rasti është nën hetime dhe se 4 lopë i janë kthyer pronarit, ndërsa edhe 3 të tjerat shumë shpejt do të kthehen në Vesekovc.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›