Burri vret gruan në Podujevë
Mehmet P. (1968) nga fshati Letanc i Podujevës e ka vrarë në mbrëmjen e së premtes gruan e tij, Lebibe Rexhepin (1965) nga Ferizaj, në vendin e quajtur “Te pishat”. Shefi i hetimeve në Stacionin Policor në Podujevë, Ibrahim Metolli ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 22:00 të së premtes, ndërkohë që ende nuk dihen motivet e kësaj vrasjeje.
“Rreth orës 22:00 e kemi marrë një informatë se në vendin e quajtur ‘Te pishat’ në Podujevë gjendet trupi i pajetë i një femre. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas kërkimeve është gjetur viktima femër e vrarë me armë zjarri. Është dyshuar se vrasja ka ndodhur nga burri i saj dhe policia e ka kontaktuar nëpërmjet telefonit të dyshuarin”, ka thënë Metolli. Shefi i hetimeve ka theksuar se Mehmet P. është paraqitur në Stacionin Policor të Podujevës me armën që kishte kryer vrasjen.
“Pasi ka ardhur i dyshuari në stacion me armë, ai ka pranuar se e kishte kryer vrasjen. Por, ende nuk dihen motivet, megjithëse, sipas informacioneve të para, vrasja ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje. Tash i dyshuari gjendet në paraburgim”, ka thënë Metolli.
Sipas burimeve të KD, Mehmet P. që disa vjet ishte duke jetuar në Ferizaj në shtëpinë e gruas dhe të premten ishin kthyer në Podujevë si mysafirë te disa të afërm të tij.