E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis pastrimi i shtratit të Lumëbardhit

Nga Express më 06 gusht 2011 në ora 16:45

Lumëbardhi i Pejës ka nisur të marrë frymë lirshëm, pasi që Drejtoria komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi ka ndërmarrë nismën për pastrimin e këtij lumi në të cilin qytetarët e pandërgjegjshëm hedhin mbeturina.

Iniciativa e komunës është mirëpritur nga qytetarët pejanë, të cilët ankohen për papastërtinë e lumit edhe përkundër faktit që e pranojnë se lumi po mbushet me mbeturina nga vetë ata. Zymber Ukaj, qytetar nga Peja thotë se kjo bukuri natyrore duhet të ruhet nga vetë qytetarët.

“S’po na pëlqen që po e shohim këtë lumë plot me mbeturina, por ne vetë po
e mbushim. Bukuritë e natyrës duhet të mbrohen e të shfrytëzohen për të mirë e jo t’i zëmë frymën këtij lumi të mrekullueshëm”, shprehet Ukaj.

Tahir Cukaj, drejtor në Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, thotë se kjo është hera e tretë që po pastrohet ky lumë.

“Pastrimi bëhet çdo tri vite kur paraqiten të reshurat, ndërsa nivelimet bëhen çdo vit. Ka shumë mbeturina, të cilat po i largojmë”, ka thënë Cukaj, i cili ka shtuar se pastrimi i lumit ka filluar nga Ura e Zallit dhe do të vazhdojë deri në dalje të qytetit.

Ai ndërkaq fajëson qytetarët për gjendjen aktuale në Lumbardhë, për shkak të hedhjes së mbeturinave. Me këtë rast, Drejtoria për Bujqësi iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në lumë, sidomos ata që kanë shtëpinë afër tij, në të kundërtën do të pasojnë gjobitjet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›