Ndërtimi i Kosovës së Re nis më 2013
Ridizajnimi i projektit të Termocentralit Kosova e Re nga qeveria dhe ndikimi i faktorit ndërkombëtar, ka bërë që këtë projekt ta përcjellin probleme të ndryshe dhe të zvarritet për disa vjet. Zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se projekti i transaksionit dhe nënshkrimit të kontratës do të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa ndërtimi do të nisë në vitin 2013. Ndërkaq, ekspertët e fushës së energjetikës projektin e vlerësojnë të nevojshëm, por të vonuar.
Kosova që nga paslufta është ballafaquar me mungesë të energjisë elektrike, por një situatë e tillë mund të përcjellë deri në vitin 2017 kur pritet të hyjë në prodhim Termocentrali Kosova e Re.
Menaxheri i këtij projekti, Lorik Haxhiu nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka thënë për Kosovapress se puna përgatitore për zhvillimin e Termocentralit Kosova e Re janë në fazë të rëndësishme, të realizimit të dokumentacioneve të tenderit.
Për më tepër ai ka shtuar se ka skaduar kontrata e shpalljes së tenderit për këshilltar të transaksionit dhe është duke u bërë përpjekje për përzgjedhjen e këshilltarit të transaksionit të ri.
Haxhiu ka shtuar se ky projekt kompleks përfshin minierat që kanë të bëjnë me zhvendosje, ndërtimin e termocentralit me qymyr, rehabilitimin e Termocentralit Kosova B, duke mos mohuar pengesat dhe sfidat që ka ky projekt. Gjithashtu kërkohet mbështetja e institucioneve financiare ndërkombëtare, që është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt.
Menaxheri Haxhiu ka theksuar se transaksioni i këtij projekti pritet të përfundojë në vitin 2012 me shpalljen e fituesit për ndërtimin e termocentralit, ndërsa ndërtimi duhet të fillojë në vitin 2013.
“Projekti si transaksion nënshkrimi i kontratës deri në fillimin e punëve pritet të përfundoj deri në fund të vitit 2012 dhe ndërtimi pastaj aktivitetet në terren fillojnë në 2013. Për ndërtimin e termocentralit nevojitet një kohë prej katër vjetësh, kështu që energjia elektrike mund të pritet në vitin 2016 apo 2017 realisht. Kjo është koha kur do të fillonte të prodhonte energji”, ka thënë Haxhiu.
Termocentrali Kosova e Re me kapacitet prej 600 megavatësh është dizajnuar që të zëvendësojë kapacitetin e TC Kosova A dhe do të ketë një efiçencë më të lartë.
Nga ana tjetër, Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë se pjesëmarrja e institucioneve ndërkombëtare ka bërë që mos të harmonizohen qëndrimet me qeverinë e vendit.
Rukiqi: E kanë zvarritur vendimmarrjen
“Ri-dizajnimi i projektit ka sjellë krejt një politikë të re me numër më të vogël të energjisë që do të prodhohet dhe të njëjtën kohë me një kapacitet më të vogël në përgjithësi. Projekti ka pasur lëvizje, por pasi që pjesë e projektit janë edhe instancat e rëndësishme siç janë USAID-i dhe Banka Botërore normalisht edhe Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian gjithë këta aktorë kanë zvarritur vendimmarrjen e qartë në këtë projekt, pasi që janë interesa të ndryshme, jo gjithmonë aktorët ndërkombëtarë kanë pasur pajtueshmëri të plotë mes veti fillimisht dhe pastaj edhe me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Rukiqi.
Ai ka shtuar se finalizimi i këtij projekti definitivisht do të stabilizojë situatën me energji elektrike, ndërkohë që duhet bërë përpjekje edhe për evitimin e humbjeve të energjisë qofshin ato në rrjet, qofshin ato komerciale.
Ndërkaq eksperti për energji në Universitetin AAB-Riinvest, Naim Hoxha konsideron se projekti për ndërtimin e TC Kosova e Re është i vonuar, por sipas tij kjo ka ardhur nga ndryshimi i konceptit dhe qëndrimet kontradiktore.
Hoxha: Projekti është vonuar
“Gjithsesi është vonuar. Ne kemi qenë nevojë të madhe për një burim të ri të energjisë qysh më herët, natyrisht jo çfarëdo, jo në çfarëdo cilësie, madhësie, forme tjera. Të gjitha këto atribute të këtij objekti të që është dashur të ndërtohet qysh herët ka qenë problem interesat, angazhimet, qarqet e caktuara kanë shty që procesi të shkojë në përcaktimin e madhësisë prej 2000 e më tepër megavat në 300 megavat. Koncepti i aranzhimit të raporteve me ndërtuesin, a do të jepet me koncesion apo do të ndërtohet me një bashkëpjesëmarrje, kanë qenë gjithashtu probleme që kanë qenë të ndërlikuara dhe duket se kanë qenë kontradiktore njëra me tjetrën dhe kanë ndikuar në realizimin e këtij projekti”, ka thënë Hoxha.
Ri-dizajnimi është bërë në vitin 2009 me vendimin e qeverisë për politika të reja në sektorin e energjisë dhe nga projekti fillimisht 2000 megavat është ri-dizajnuar të jetë 600 megavat. Ky është ndryshimi dhe kjo është aktuale që është shpallur në gusht të vitit të kaluar dhe mbetet si opsion me të cilin zhvillohet projekti.
Katër konsorciume ndërkombëtare, nga gjashtë sa kishin aplikuar për këtë projekt, i kanë përmbushur kriteret për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re: Adani Power/PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konsorciumi AES Electric lid/ Demir Export A.S nga SHBA-të dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konsorciumi PPC Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania, janë ofertuesit e kualifikuar për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. (KosovaPress)