Nderohet veprimtari Sabit Veseli, në njëvjetorin e vdekjes
Sabit Veseli që nga rinia e tij e hershme ishte betuar se asnjëherë nuk do të pushojë së vepruari dhe luftuari deri në çlirimin e vendit nga okupatorët. Shkalla e vendosmërisë së tij më së miri u vërejt në vitin 1981, kur organizoi demonstratat e fuqishme kundër pushtuesve në Mitrovicë, u tha me rastin e njëvjetorit të vdekjes tragjike të veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare Sabit Veseli.
Të shtunën në vendlindjen e tij, në fshatin Braboniq të Mitrovicës, janë bërë homazhe pranë varrit të veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, Sabit Veseli, ku përveç familjarëve, kanë marrë pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të vendit, bashkëluftëtarë etj.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se ka ardhur sot në njëvjetorin e vdekjes së bashkëveprimtarit, njeriut që gjithë jetën ia kushtoi lirisë dhe çlirimit të Kosovës, si dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.
“Jeta dhe vepra e Sabitit është vepër heroike e shtetndërtimit të Kosovës, dhe sot institucionet e Kosovës nderojnë në mënyrën më të dinjitetshme të mundshme jetën dhe veprën e Sabitit, i cili prej të gjithë veprimtarëve të të gjitha gjeneratave dhe trojeve shqiptare i ka ofruar, bashkuar dhe ka qenë shembull i punës, i urtësisë, mençurisë, vetëmohimit, i vendimmarrjeve të rëndësishme për lirinë dhe çlirimin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, bashkëthemeluesi i UÇK-së, ishte njeriu që i bashkoi të gjithë rreth idealit të lirisë dhe çlirimit të Kosovës, andaj vepra e Sabit Veselit nderohet nga të gjithë shqiptarët.
Në emër të shokëve të Sabitit, ka folur zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, i cili tha se të gjithë janë tubuar sot në vendin ku prehet trupi i heroit të heshtur të Kosovës, Sabit Veseli, për të nderuar veprën dhe sakrificën e madhe që bëri gjatë gjithë jetës së tij.
“Sabit Veseli që nga rinia e tij e hershme nga mosha 17-vjeçare, ishte betuar se asnjëherë nuk do të pushojë së vepruari dhe luftuari deri në çlirimin e vendit nga okupatorët. Shkalla e vendosmërisë së tij më së miri u vërejt në vitin 1981, kur organizoi demonstratat e fuqishme kundër pushtuesve në Mitrovicë. Angazhimi i madh i Sabitit në demonstratat e vitit 1981 bëri që ai të bie në sy të spiunëve të UDB-së, të cilët disa ditë më vonë do ta arrestojnë dhe do ta dënojnë me 7 vjet e gjysmë burg”, ka thënë Avdiu.
Ai ka theksuar se periudha e vuajtjes së burgut do të jetë ajo që do të nxjerrë në pah vlerat dhe virtytet që e karakterizonin djaloshin atëherë 25-vjeçar.
Sabit Veseli ka humbur jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni në fshatin Koshtovë të Mitrovicës. Ai ishte veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare dhe njëri nga personalitetet kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (kp)