Shënohet ngritje e aksidenteve fatale në trafik për muajin gusht

Policia e Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me rritjen e numrit të aksidenteve për muajin korrik dhe javën e parë të muajit gusht, në të cilin kanë ndodhur mbi 200 aksidente, ku si pasojë kanë vdekur gjashtë dhe janë lënduar 65 persona.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se janë duke ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e aksidenteve, por sipas tyre, një kujdes më të madh duhet të kenë pjesëmarrësit në trafik, pasi që nuk janë duke respektuar rregullat e përgjithshme në trafik.
Baki Kelani, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, ka deklaruar për Kosovapress se në bazë të Planit strategjik zhvillimor 2011-2015, Policia e Kosovës ka paraparë edhe urdhrat operativ, të cilët janë lëshuar për të gjitha drejtoritë rajonale e që kanë të bëjnë kryesisht me parandalimin e aksidenteve dhe respektimin e shenjave në komunikacionin rrugor.
“Planet kanë qenë të suksesshme, sepse janë plane që duke vazhduar nga viti në vit dhe modifikohen në bazë të nevojave dhe specifikave në terren, mirëpo kërkohet një vetëdijesim më i madh edhe i vetë qytetarëve, ngasësve të automjeteve dhe gjithë pjesëmarrësve në komunikacion”, ka thënë ai.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës në 6-mujorin e parë të këtij viti ka më pak aksidente me fatalitet, apo më saktësisht 53 raste, derisa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë regjistruar 75 raste ku ka pasur viktima, ndërkohë që shqetësues është shtimi i numrit të aksidenteve gjatë korrikut.
“Kemi një ngritje të lehtë të aksidenteve në përgjithësi, pra që janë kryesisht me dëme materiale, diku rreth 5 për qind, mirëpo fatmirësisht kemi rënie të aksidenteve me fatalitet për periudhën kohore 6 mujore, ndërsa i kemi shqetësuese statistikat e periudhës kohore të muajit të shtatë, si dhe periudhën e javës së parë të këtij muaji, ku vetëm në këtë javë diku rreth pesë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku”, ka thënë Kelani.
Sipas tij, faktorët kryesor të cilët ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve janë të ndryshme, duke filluar nga manipulimi i pasigurt me automjet, ku rreth 23 për qind e aksidenteve kanë ndodhur si rezultat i kësaj, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës.
“Realisht gjatë sezonit të verës kemi shtim të pjesëmarrësve në komunikacion dhe kjo është që ndikon edhe në ngritjen e aksidenteve. Pra, sa më i madh të jetë numri i pjesëmarrësve në komunikacion me automjete aq më e madhe është mundësia që ka të ketë shtim të aksidenteve. Ka të përfshirë edhe nga bashkatdhetarët tanë që vijnë në Kosovë, mirëpo jo në një numër të madh, i cili mund të jetë shqetësues, mirëpo edhe ajo ndikon në një ngritje të lehtë të numrit të aksidenteve”, ka thënë Kelani.
Aksidentet më të mëdha, sipas statistikave, janë regjistruar në rajonin e Prishtinës me 3692 aksidente.
Ndryshe, dje gjatë një aksidenti në mes dy veturave dhe një motoçiklete në fshatin Risinofc të Lipjanit është goditur një motoçiklist që si pasojë e lëndimeve ka ndërruar jetë. Rasti tjetër fatal ka ndodhur javën e kaluar në Astrazub të Malishevës, ku një vozitës ka ndërruar jetë nga lëndimet e marra.
Një tjetër rast fatal ka ndodhur në lagjen “Arbana” në Prizren, ku një i mitur duke drejtuar veturën “Golf” godet një person me biçikletë dhe viktima me lëndime të rënda trupore vdes në spitalin e qytetit.
Në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren, një person gjatë ngasjes së veturës në drejtim të qendrës së qytetit ka goditur një femër të cilës i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe viktima është dërguar ne spitalin e Prizrenit ku mjeku kujdestar konfirmon vdekjen e saj.
Aksidenti tjetër ka ndodhur në fshatin Ozdrim të Pejës, ku një person gjersa ishte duke lëvizur me motoçikletë është goditur me veturën me ç’rast ngasësi i motoçikletës ka pësuar lëndime të rënda trupore ku pas disa orësh vdes në QKUK.
Kurse, në Llapushnik të Drenasit ka ndodhur një aksident trafiku në mes dy veturave civile, ku si pasojë lëndime të rënda trupore kanë pësuar dy ngasësit e veturave dhe një pasagjer, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ku më vonë ka ndërruar jetë njëri ngasës i veturës.