E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuetia e paligjshme, kërkohet plumbosja e armëve

22/07/2010 Shoqata: Policia të japë ndihmesë, po vriten shpend e kafshë në kohën e shumimit

DURRES- Shoqata e Gjuetisë së Durrësit ka kërkuar nga policia e shtetit të plumbosë të gjithë armët që janë në përdorim nga anëtarë të shoqatës. Kreu i kësaj shoqate në Durrës Asti Hanxhari ka replikuar gjatë në një takim që ka organizuar Drejtoria e Shërbimit Pyjor enkas për masat në pragun e hapjes së sezonit të gjuetisë. Hanxhari ka replikuar gjatë me shefin e sektorit të faunës, florës dhe tokës në Ministrinë e Mjedisit Haki Zoto.

Përplasja

Shoqata e gjuetarëve në Durrës ka afro 3500 persona të pajisur me leje arme, por vetëm 350 prej tyre kanë paguar detyrimet në taksën ndaj shërbimit pyjor dhe kuotën e shoqatës. Pikërisht numri i madh i personave që ushtrojnë aktivitet në mënyrë të pakontrolluar kanë çuar në replikat lidhur me bllokimin e armëve që gjuajnë në kohën e ndalimit të sezonit. Shoqata ka thënë se policia e shtetit nuk ka dhënë asnjë ndihmesë në drejtim të ndëshkimit të gjuetisë së paligjshme, duke dëmtuar në këtë mënyrë faunën e zonës. Durrësi ka zona të tëra pyjore e shkurrore, të cilat janë shumë të pasura me shpend e kafshë të shumëllojshme. “Gjuetia për një pjesë të konsideruar të armëmbajtësve është konsideruar si fitimprurës duke vrarë çfarë u ka dalë para armës”,-ka thënë Hanxhari. Sezoni nis më datë 15 gusht dhe mbyllet më 15 mars, por kjo periudhë nuk respektohet madje ka gjuetarë që vrasin shpend e kafshë edhe në sezonin e shumimit. “Nuk bëhet kolaudim i armëve, kontroll teknik, instruktazh për përdorim arme, sesione kualifikuese dhe mësime treguese për sportin e gjuetisë”,-u shpreh kreu i shoqatës Asti Hanxhari. Ai ka kërkuar mbështetje nga policia dhe ministria e linjës, duke theksuar se ligji nuk po zbatohet pikërisht për shkak të neglizhencave. Sipas Hanxharit, leje për përdorimin e armëve duhet të kalojnë paraprakisht në dorën e një komisioni, pasi kanë ndodhur dhjetëra raste që armët e gjuetisë blihen më së shumti si armë zjarri e jo si pushkë sportive. Në qarkun e Durrësit një numër i konsideruar i krimit të plagosjes dhe vrasjes ka ndodhur pikërisht me armë gjahu nga persona që kanë lejen e gjuetisë dhe dëshminë e përdorimit të armës. Gjoba në rast shkelje ligji për këtë kategori varion nga 30 mijë lekë deri në 50 mijë lekë, por në asnjë rast nuk ka pasur penalitet ndaj gjuetarëve. Në takimin e organizuar për masat në ruajtjen e florës dhe faunës në zonën bregdetarë të Durrësit është pohuar se një pjesë e mbajtësve të armëve të gjuetisë vrasin çdo kafshë e shpend që u del përpara pa marrë në konsideratë periudhën e shumimit e të gjuetisë. Durrësi ka 8100 ha me pyje, prej të cilave 4200 ha janë pyje komunal dhe vetëm 3600 ha pyje shtetëror, ndërkohë që 240 ha janë pyje privat. Rezervate të tilla si në Hamalle, Rrushkull, Bisht Kamëz, sektori Rinia, Kodrat e Ishmit janë masivet që strehojnë shpend e kafshë. Por kjo hapësirë sa vjen e humbet shumëllojshmërinë e shpendëve dhe kafshëve. “Në vendin tonë është fare pak e disiplinuar gjuetia dhe e vetmja mënyrë për të vënë në rrugë është marrja e masave shtrënguese nga policia”,-u deklarua Hanxhari. Pagesat dhe tarifat e gjuetarëve për shoqatën dhe shërbimin pyjor me fillimin e sezonit të ri do të rriten dhe palët kanë qenë dakord me këtë masë. Tarifa për gjuetinë do të bëhet 10 mijë lekë nga 700 lekë deri më tani dhe tarifa për kartën e anëtarësimit në shoqatë do të bëhet 2 mijë lekë.

Simpozium në Elbasan

Gjuetarët e huaj kanë shfarosur faunën e egër

ELBASAN- Gjuetarët e rregullt pakënaqësi për vazhdimin e gjuetisë së paligjshme.

Anëtarët e shoqatës “Elbasani” dhe asaj “Egnatia” të pranishëm në këtë simpozium një zëri kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me Federatën e Gjuetarëve të Shqipërisë, që sipas tyre “është vetë kryesia e kësaj shoqate ajo e cila nuk zbaton ligjet e gjuetisë, dhe se është kryesia e federatës përgjegjëse për sjelljen në Shqipëri të gjuetarëve të huaj, kryesisht ata italianë, të cilët kanë shfarosur faunën e egër të vendit tonë duke sjellë mjete imituese dhe mjete të tjera shfarosëse”. Gjatë një takimi të organizuar Federata e Gjuetarëve të Shqipërisë me temë “Gjuetia e kontrolluar”, si edhe zbatimi i ligjit të ri të gjuetisë nr 10253 datë 11.03.2010, për “parandalimin dhe disiplinimin e gjuetisë së paligjshme” nuk kanë qenë të pakta ankesat e gjuetarëve. Anëtarësia e dy shoqatave të rajonit të Elbasanit gjatë këtij simpoziumi janë shprehur të pakënaqur për zbatimin me rigorozitet të ligjeve kundër gjuetisë së paligjshme nga ana e kryesive përkatëse, si edhe nga organet e Policisë së Rendit dhe Drejtorisë së Shërbimit Pyjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›