Gjuha kineze, mundësi e re për studentët në tregun global të punës
Nisma
Ambasada kineze dhuron libra dhe aparatura për seksionin kinez të Universitetit të Tiranës
Ambasada e Republikës Popullore të Kinës ka dhuruar dje libra, kompjuterë, wi-fi, mjete didaktike dhe elektronike për seksionin e gjuhës kineze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës.
Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, theksoi nevojën e krijimit të këtij seksioni dhe punën që është bërë për të realizuar këtë objektiv. “Gjuha kineze është një nga gjuhët me më shumë traditë, e cila vijon të ekzistojë në botë, si një gjuhë kulture e domosdoshme që të mësohej edhe nga studentët shqiptarë të UT-së”, tha Kodra. Ndërsa rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, e quajti këtë nismë edhe një nevojë në kushtet e reja të politikës dhe ekonomisë globale. “Kina sot është një superfuqi botërore ekonomike e politike dhe si ekonomist do të thosha, që krahas aspektit kulturor që ka gjuha kineze, mësimi i saj nga studentët shqiptarë do t’u krijojë atyre mundësi më të shumta në tregun botëror të punës. Më vjen mirë që kjo gjuhë është përzgjedhur nga një sërë studentësh dhe jam i sigurt që do të zgjidhet si gjuhë nga akoma më shumë persona gjatë viteve në vijim”, tha rektori. Në fjalën e tij, ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Wang Junling, deklaroi se ky ishte një hap që duhej ndërmarrë prej kohësh. “Në realitetin e sotshëm botëror, pas hapjes së Kinës në ekonomi, gjuha kineze po mësohet gjithnjë e më shumë nga studentë të huaj. Gjatë takimit që kishte Presidenti kinez, me Presidentin amerikan, Barak Obama, ky i fundit deklaroi se do të dërgonte 100 mijë studentë për të mësuar gjuhën kineze në Kinë. Kjo tregon nevojën për bashkëpunim në këtë fushë me të gjitha vendet e botës”, tha Wang Junling.
Seksioni i gjuhës kineze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është hapur me ndërmjetësimin e rektoratit të UT-së dhe ambasadës kineze. Në këtë seksion, ku jep mësim pedagogia e ardhur nga Kina, Wang, studiojnë 16 studentë.
#