E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjukanovic: Qëndrim miqësor ndaj të gjithë fqinjëve

PODGORICE-Kryeministri në dorëheqje i Malit të Zi, Millo Gjukanovic, tha se ky vend ka qëndrim miqësor ndaj të gjithë fqinjëve dhe se do të vazhdojë ta ruajë këtë dhe pas ikjes së tij.

Në intervistën për televizinin IN në Podgoricë, zoti Gjukanovic tha se raportet e Malit të Zi me Serbinë i ngarkon pavarësia e Malit të Zi dhe vendimi i Podgoricës për njohjen e Kosovës.

“Komunikimi politik me Serbinë zhvillohet në rregull, është ulur në nivel të minsitrive”, tha Gjukanovic.

Sipas tij, në skenën politike në Beograd “regjistrohen sinjale”, se në Serbi ende nuk pajtohen me pavarësinë e Malit të Zi.

Mëtutje, zoti Gjukanovic tha se janë dy arsye që Mali i Zi nuk i ka këmbyer ambasadorët me Kosovën. Njëra është çështja e përfaqësimit të bashkësisë kombëtare malazeze në Kosovë dhe tjetra është dorëheqja e qeverisë së Kosovës.

Por, ai theksoi se po krijohen kushte që në vitin 2011, Mali i Zi dhe Kosova t’i këmbejnë ambasadorët.

(d.b/Evropaelire/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›