Gjunkshi: Imami nuk ka anashkaluar presidentin Topi. Meidani e Moisiu: Ministri shkeli Kushtetutën
Shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Xhemal Gjunkshi, ka thënë dje në një intervistë për Zërin e Amerikës se Arben Imami nuk ka anashkaluar presidentin Bamir Topi për emërimin e kreut të flotës.
“Unë jam njohur me këtë. Pavarësisht se jam në SHBA, kam marrë informacionet edhe për këtë situatë. Dua t’ju siguroj juve dhe të gjithë ata që na ndjekin, që është ligji për të drejtën e komandimit, i cili deri në gradën kolonel i jep të drejtën ministrit të Mbrojtjes për të bërë emërimin në detyrën e Komandantit të Forcës Detare. Sot, kjo forcë nuk ka aktualisht një gjeneral. Në momentin që të ketë gjeneral, atëherë detyrimisht edhe kjo do të kalojë për të ndjekur procedurat. Ky është komenti im”, u shpreh Xhunkshi për “Zërin e Amerikës”.
Por, ky i fundit duket se nuk ka informacionet e duhura, pavarësisht postit të lartë që ka, duke qenë se në Kushtetutë, përveç të tjerave, thuhet gjithashtu që presidenti emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore. Dy ish- presidentët, Meidani dhe Moisiu, kanë deklaruar se Imami ka shkelur Kushtetutën me veprimet e tij. Moisiu tha se kishte emëruar me dekret Kristaq Gervenin në krye të Flotës Detare, edhe pse ai nuk ishte gjeneral. Kurse Meidani thotë se është shkelur hapur Kushtetuta pasi neni 169 nuk lejon asnjë lloj ambiguiteti në emërime.