Kreshnik Spahiu: Presidenca për Berishën, një shpëtim nga turpërimi elektoral
Kreshnik Spahiu ka qenë ditët e fundit në qendër të vëmendjes mediatike për disa akuza që i janë bërë atij si dhe për disa akuza që ai i ka bërë Kryeministrit Berisha. Në numrin e fundit të revistës Mapo, Spahiu akuzohej se sponsorizohet nga qarqe neo-otomane, të cilat kanë ndërmjetësuar vizitën e tij në SHBA. Ndërsa në emisionin Debat të Alfred Pezës në Vizion Plus, ai deklaroi se Berisha do të tërhiqet në prag të zgjedhjeve për shkak të fakteve që ne do të publikojmë për implikimin e partisë së tij me para të pista dhe fondacione të dyshimta. Lidhur me këto akuza të ndërsjellta, zhvilluam këtë intervistë ekskluzive me Spahiun.
Të interesuar për vizitat e disa politikanëve shqiptarë në Uashington, ne kontaktuam para një jave amabasadën amerikane në Tiranë, dhe një burim i brendshëm atje na konfirmoi se Ambasadori Arvizu ka inkurajuar Ramën e Spahiun që të bëjnë një vizitë në SHBA, e të takohen me zyrtarë amerikanë e me njerëz të tjerë, në mënyrë që të shpjegojnë arsyet e tyre, qëndrimet e tyre, kauzën e tyre, gjë që do të ishte më e mirë se sa ti linin këto shpjegime në dorë të raporteve të ambasadës amerikane në Tiranë. Ndërkohë, revista Mapo, në numrin e saj të fundit, ka aluduar se disa qarqe neo-otomane kanë ndërmjetësuar për vizitën e tuaj në SHBA. A mund të na sqaroni ju vetë për atë vizitë?
Revista Mapo mbështetet nga një biznes proqeveritar shqiptar që drejtohet nga z.Henri Çili, ndërsa Respublica.al financohet nga një organizatë jo-qeveritare amerikane. Mendoj se kjo gjë shpiegon edhe faktin që raportimi juaj është shumë më afër të vërtetës se sa aludimi i Mapos. Vizita ime në Uashington nuk ka patur asnjëfarë lidhje me ndonjë qytetar turk apo ndonjë shqiptar neo-otoman. Idenë për vizitën ma ka inkurajuar vetë amabasadori Arvizu dhe ai drejtëpërdrejt ka ndihmuar për realizimin e takimeve të mija në Departamentin e Shtetit. Një praktikë të tillë ne do ta aplikojmë edhe me disa vende europiane.
Në emisionin Debat të Alfred Pezës në Vizion Plus, ju deklaruat se Berisha do të tërhiqet në prag të zgjedhjeve për shkak të fakteve që ne do të publikojmë për implikimin e partisë së tij me para të pista dhe fondacione të dyshimta. Por, po në këtë emision, ju deklaruat se Berisha nuk e lë atë post [postin e Presidentit] do ta mbyllë karrierën e tij politike në Presidencë. A nuk bie ndesh kjo deklaratë e dytë me të parën?
Përkundrazi. Në qoftë se Berisha nuk shkon në Presidencë këtë korrik, do t’i duhet të përballet me dy turpërime të mëdha para zgjedhjeve parlamentare. Së pari, ne jemi duke mbledhur prova e fakte që do të demonstrojnë implikimin e partisë dhe koalicionit të tij me para të pista dhe fondacione të dyshimta. Së dyti, sondazhet periodike që po zhvillojmë ne të Aleancës Kuqezi po tregojnë se, në qarqet kryesore të vendit, PD-ja po renditet e treta si parti (pas AK-së dhe PS-së). Me kalimin e kohës, ky trend elektoral besoj se do të stabilizohet në të gjithë vendin. Dhe besoj se edhe njerzit e Berishës zhvillojnë sondazhe të brendshme, të cilat i tregojnë të njëjtin trend elektoral. Prandaj, tërheqja nga gara për kryeministër dhe vajtja në Presidencë e tij do të ishte një farë shpëtimi nga turpërimi elektoral.
Një nga pikat e programit të Aleancës Kuqezi ka tërhequr veçanërisht vëmendjen konkretisht, kufizimi i mandateve të të gjithë të zgjedhurve. Si do të mund ta realizoni këtë pikë kaq radikale në skenën politike patriarkale shqiptare?
Së pari, statuti i Aleancës Kuqezi nuk lejon që kryetari i saj të ushtrojë më shumë se dy mandate. Por, duke shkuar përtej sinorit tonë, ne nuk do të pranojmë të bashkëqeverisim me asnjë parti që ka për kryetar një njeri që e ka ushtruar këtë funksion për më shumë se dy mandate. Ky është një qëndrim absolutisht i panegociushëm i yni, që ka gjetur edhe një mbështetje të fuqishme në Uashington dhe në qarqe të tjera diplomatike. Por çështë më e rëndësishmja, të gjithë përkrahësit tanë e vlerësojnë këtë qëndrim tonin si mjetin më efikas për qarkullimin e elitave politike në Shqipëri, të cilat pothuaj nuk kanë qarkulluar fare në 20 vjetët e fundit. Me kalimin e kohës ne kemi bindjen se, me përkrahjen e gjerë të opinionit publik, do të realizojmë ndryshimet kushtetuese që do ti kufizojnë mandatet e të zgjedhurve, duke filluar nga kryeministri e kryetarët e partive dhe duke shkuar deri të krybashkiakët e kryetarët e komunave.
respublica.al