E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuraj: Ju rrëfej ç‘po ndodh në Rripin e Gazës

Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Tonin Gjuraj, ka rrëfyer gjithçka ndodh në Rripin e Gazës. Pse dështuan përpjekjet e ndërkombëtarëve për ta frenuar menjëherë luftën, këndvështrimi i shtetit izraelit për këtë konflikt, Rezoluta e refuzuar e OKB-së, qëndrimi i Hamasit, por edhe Iranit, Egjiptit, Turqisë dhe Quartet-it për Lindjen e Mesme, frika e zgjimit të terroristëve, e jo vetëm në Palestinë, rreziku i forcimit të influencës së Hezbollahut dhe shpresat për një proces paqeje. Të gjitha të pathënat e një lufte të re, në fokus të intervistës ekskluzive për gazetën "Shqip" të ambasadorit shqiptar në Izrael, Gjuraj,

për "Shqip".

Zoti ambasador! I ndjekim nga larg lajmet mbi konfliktin më të fundit. Ju jeni më pranë, madje shumë pranë kësaj lufte. Ǒpo ndodh realisht atje?

Siç jeni në dijeni, që prej datës 27 dhjetor 2008, Forcat Mbrojtëse të Izraelit ndërmorën një sulm ushtarak ajror të fuqishëm mbi Gaza, sulm i cili, sipas autoriteteve izraelite, synonte goditjen e bazave e njësive ushtarake të Hamasit, shkatërrimin e infrastrukturës së ngritur prej tyre dhe jo goditjen e civilëve atje. Kabineti i Kryeministrit izraelit, E. Olmert, mbrojti sulmin mbi Gaza, duke thënë se ai kishte ardhur si një reagim i ashpër ndaj hedhjes së raketave Kassam në territorin izraelit prej militantëve të Hamasit. Sipas medias vendase, sulmi më i fundit ajror ndaj Hamasit shënon ndoshta operacionin më të madh në Rripin e Gazës, që prej luftës 6-ditore më 1967-ën.

Përpjekjet e ndërkombëtarëve për të frenuar menjëherë konfliktin e armatosur në Gaza dështuan, pasi më 3 janar 2009, rreth darkës, forcat tokësore të Forcave Mbrojtëse të Izraelit hynë në veriun e Gazës, duke shënuar kështu atje fillimin e inkursionit tokësor.

Edhe pse SHBA-ja që në fillim fajësoi Hamasin për situatën e krijuar, BE-ja u shpreh qartë se nuk mund të kishte zgjidhje ushtarake në Gaza. Në tërësi, udhëheqësit botërorë kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe ndalim të luftimeve në Gaza. Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë ka reaguar të nesërmen e ofensivës izraelite, duke shprehur shqetësimin e saj të thellë ndaj konfliktit të armatosur në Rripin e Gazës dhe duke bërë thirrje për qetësi, arsye e vetëpërmbajtje nga palët.

Megjithëse kjo ofensivë duket se e ka goditur seriozisht Hamasin, fatkeqësisht si pasojë kanë mbetur të vrarë edhe shumë civilë, midis tyre fëmijë e gra. Deri tani raportohen rreth 1095 palestinezë të vrarë dhe mbi 5000 të plagosur.

Të nesërmen e sulmit, së bashku me Trupin Diplomatik të akredituar në Tel Aviv, kemi vizituar qytetin izraelit të Sderot-it, vetëm 3 km larg Gazës, si qyteti më i goditur gjatë tetë viteve të fundit prej Hamasit. Në fakt ky qytet, në dukje i qetë, kishte rrugë të zbrazura, gjë që dëshmonte qartë frikën e qytetarëve të saj ndaj goditjeve me raketa që mund të vinin nga Gaza.

Në këndvështrimin izraelit, kjo nuk është luftë midis dy shteteve, por midis shtetit të Izraelit dhe një organizate terroriste, si Hamasi. Kësisoj, vërehet vendosmëria e autoriteteve izraelite për të vazhduar sulmet në Gaza, për sa kohë do të vazhdojë, sipas tyre, goditja me raketa e territoreve izraelite në kufirin me Gazën.

Që prej datës 3 janar 2009, brenda Gazës gjenden brigada të shumta izraelite, njësi rezerviste, të cilat mbështeten nga një armatim i rëndë dhe pajisje të shumta ushtarake nga toka, ajri dhe deti. Sipas Diskin, shefit të Shin Bet-it (Israel Security Agency), Hamasi duket se ka përjetuar goditje të paprecedentë.

Po ashtu, hyrja e Forcave Mbrojtëse Izraelite më në thellësi të Gaza City-t tre katër ditët e fundit, së bashku me disa njësi rezerviste, shënon lëvizjen tjetër të kabinetit "Olmert". Me këtë lëvizje duket se ata synojnë zgjerimin më tej të operacionit në Gaza, para se të arrihet një marrëveshje për armëpushim atje, e cila po negociohet intensivisht nga Egjipti.

Edhe pse jepen deklarata premtuese për armëpushim të përkohshëm, në realitet, palët gjenden shumë larg njëra-tjetrës. Rezoluta e OKB-së 1860, prej 9 pikash, nuk është pranuar nga palët. Kabineti izraelit i sigurisë tashmë e ka hedhur poshtë këtë rezolutë, duke e cilësuar atë si "jopraktike", e cila, sipas tyre, nuk adreson ndalimin e kontrabandës së armëve nëpërmjet tuneleve nga Egjipti në Gaza.

Pavarësisht se Kryeministri i Hamasit, Haniyeh, ka deklaruar se do të konsiderojnë çdo iniciativë për armëpushim, burime izraelite raportojnë se Irani po e shtyn Hamasin të mos e pranojë armëpushimin e përkohshëm me Izraelin.

Egjipti po shton presionin mbi palët për armëpushim, madje po negocion me secilën prej tyre elemente kyç të një armëpushimi të mundshëm. Po ashtu, Turqia vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në bisedimet midis Egjiptit dhe Hamasit. I ngarkuari i Quartet-it për Lindjen e Mesme, Tony Blair, ka qenë gjithashtu në Kajro për të diskutuar të njëjtën çështje. Ministri i Jashtëm Gjerman, Frank-Walter Steinmeir, u takua këto ditë me ministren e Jashtme Livni në Jerusalem, kurse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, gjendet aktualisht në rajon.

Pra, zgjerimi i ofensivës së Izraelit brenda territorit të Rripit të Gazës nga njëra anë dhe intensifikimi i përpjekjeve ndërkombëtare në arritjen e një armëpushimi të përkohshëm nga ana tjetër, duket se karakterizojnë status-quo-në për momentin. Propozimi egjiptian ende nuk ka gjetur mbështetje nga palët në konflikt, madje Izraeli ka kundërshtuar termat e Hamasit për armëpushim të përkohshëm.

Mendoni se sulmet me raketa nga ana e Hamasit e justifikojnë katastrofën njerëzore që shkaktoi mësymja izraelite, sidomos duke llogaritur dëmet e shumta në radhët e popullsisë civile?

Në qëndrimet zyrtare të qeverisë së shtetit të Izraelit, veprimet ushtarake mbi Gazën argumentohen si vetëmbrojtje ndaj sulmeve me raketa Kassam të militantëve të Hamasit mbi popullsinë civile izraelite dhe për këtë ata i referohen Nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, e cila i rezervon të drejtën çdo kombi për vetëmbrojtje kundër sulmeve të armatosura. Por, kjo e drejtë ndërkombëtare vendos megjithatë një kufizim të vetëm, që veprimet duhet të jenë në pajtim me parimin e proporcionalitetit. Në një konflikt të armatosur mbetet e vështirë të debatohet mbi proporcionet e sulmeve, por megjithatë ishte shumë e rëndë dhe duhej të ishte evituar me çdo kusht goditja e një shkolle në Gaza që administrohej nga OKB-ja, ku gjetën vdekjen shumë civilë, midis tyre edhe fëmijë.

Egjipti, për shembull, edhe pse e ka konsideruar që në fillim operacionin në Gaza si aksion të verbër ushtarak, autoritetet atje nuk kanë ngurruar të vënë në dukje se Hamasi kishte injoruar paralajmërimet e tyre, se prishja e armëpushimit me Izraelin dhe vazhdimi i hedhjes së raketave Kassam do ta përkeqësonte situatën. Fatkeqësisht, ashtu ndodhi.

Por nuk është vetëm numri i viktimave që vë në pikëpyetje këtë ndërhyrje ushtarake. Shumë analistë mendojnë se operacioni do të krijojë një efekt bumerang, duke zgjuar terroristët jo vetëm në Palestinë, por edhe në vende të tjera arabe. Cili është mendimi juaj? Nga ana tjetër, sulmet izraelite të vitit 2006 ndaj Libanit duket se e forcuan jo pak influencën e Hezbollahut, duke u kthyer në forcën më të rëndësishme politike në Liban. Sa ngjashmëri mund të ketë mes këtij rasti dhe konfliktit aktual?

Po, kjo mund të ndodhë, pra vazhdimi i ofensivës mund ta radikalizojë më shumë situatën. Për shembull, ditët e fundit janë hedhur raketa në veri të Izraelit nga territori libanez, edhe pse nga burimet libaneze, raketat thuhet të janë hedhur nga palestinezët që jetojnë atje, jo nga Hezbollahu. Po ashtu, udhëheqësi i Hezbollahut nga Libani, Nasrallah, ka bërë thirrje për një intifadë të tretë kundër Izraelit, duke iu bashkuar kështu shumë zërave brenda Hamasit në këtë thirrje. Edhe udhëheqësi politik në ekzil i Hamasit, Khaled Meshaal, nga Siria, ka bërë të njëjtin apel.

Tjetër, si rezultat i presionit të brendshëm popullor, qeveritë e disa vendeve arabe, në kufi me Izraelin, Jordani etj., janë detyruar këto ditë ta adresojnë seriozisht këtë çështje dhe kanë bërë thirrje që të solidarizohen me palestinezët. Katari ka propozuar që kombet arabe të rishikojnë lidhjet me Izraelin.

Përtej kësaj, vetë Izraeli ka shfaqur pakënaqësi ndaj Turqisë dhe Kryeministrit turk, T. Erdogan, i cili, sipas tyre, ishte treguar i njëanshëm në qasjen e këtij konflikti, duke mos dënuar hapur Hamasin, si përgjegjësin kryesor të shpërthimit të luftimeve në Gaza.

Pra, duket sikur Izraeli po "humb pikë", por megjithatë mbetet për t‘u parë impakti i këtyre sulmeve në raportet e "reja" që mund të krijohen midis popullsisë vendase dhe Hamasit, roli i Presidentit të Autoritetit Palestinez, M. Abbas, sjellja e qeverisë izraelite ndaj propozimit egjiptian për armëpushim të përkohshëm, aksionet humanitare në dobi të civilëve palestinezë, si dhe përkushtimi ndaj vazhdimit të negociatave për paqe.

Konsiderohet shumë shqetësues fakti se me këtë akt u dëmtua së tepërmi gjithë procesi i paqes. Për disa madje, edhe në masë shumë të rëndë. Sa të rënda mund të jenë këto pasoja në terma afatgjatë?

Aktet e fundit mund të krijojnë vonesa në rifillimin e negociatave për paqe, në vijim të Procesit të Annapolis-it, por nuk do t‘i ndalojnë në terma afatgjatë ato, pasi negociatat kanë nisur midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, jo me Hamasin. Presidenti Abbas ka dënuar sulmet në Gaza dhe vrasjen e civilëve, por ai ka fajësuar Hamasin për përkeqësimin e situatës atje. Po ashtu, po pritet me mjaft optimizëm edhe angazhimi i administratës së re amerikane dhe i Presidentit të zgjedhur Obama.

Në planin e brendshëm, mbështetja e opinionit publik për ofensivën ushtarake të Izraelit ka qenë spektakolare. Sipas medias vendase, vetëm dy ditë pas sulmeve, rreth 81% e izraelitëve mbështetën sulmin ushtarak ajror në Gaza kundër Hamasit, madje e konsideruan atë si një reagim të vonuar të forcave izraelite. Pak ditë më vonë, kjo mbështetje arriti në rreth 90%.

Ministrja e Jashtme izraelite, Livni, ka bërë të qartë se procesi i Annapolis-it nuk nënkuptonte bisedime vetëm me të moderuarit midis palestinezëve në arritjen e një marrëveshjeje paqeje, por paralelisht me të edhe konfrontimin me terroristët dhe organizatën terroriste të Hamasit.

Pra, duket se ka një strategji të dyfishtë të Izraelit, por edhe një angazhim për të vazhduar bisedimet për paqe me Autoritetin Palestinez dhe Presidentin Abbas. Qeveria izraelite duket e vendosur në qëndrimin e saj se arritja e paqes do të ecë paralelisht me bisedimet me të moderuarit dhe luftën ndaj terroristëve të Hamasit.

Kam bindjen se me një bashkëveprim më të madh të ndërkombëtarëve, përfshirë edhe vendet arabe, jo vetëm BE-në dhe SHBA-në, procesi i paqes mund të ecë në drejtimin e duhur. Mendoj se ka ardhur koha për një projekt apo qasje rajonale të zgjidhjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, duke mos përfshirë këtu vetëm Izraelin dhe palestinezët, por edhe vendet e tjera përreth. Më jepet të besoj shkrimtarin e njohur hebre, Amos Oz, si një prej zërave më të fuqishëm në rajon, në favor të paqes midis Izraelit dhe palestinezëve, se për sa kohë konflikti, sipas tij, mbetet në thelb për "pasuri të paluajtshme" dhe që nuk përbën përplasje midis traditave, kulturave apo feve, atëherë ai është i zgjidhshëm.

Parashikimi më i zymtë erdhi prej ish-sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Butros Butros Gali, i cili vërejti para një jave se, përmirësime të vërteta të situatës, sa i përket paqes në gjithë rajonin, me shumë gjasa do të shihen vetëm nga brezat e mëvonshëm. Mendoni se ka baza reale një parashikim kaq i zymtë?

Parashikimi i z. Butros Butros Gali duket të jetë fatal. Pas kësaj situate, shtohet preokupacioni nëse vërtet është i mundur akomodimi midis Izraelit dhe palestinezëve. Madje, supozimi se tashmë paqja duket e pamundur dhe se lufta midis palëve do të vazhdojë pa kufi bëhet edhe më akut.

Por, më lejoni të them se konflikti i fundit shpërtheu pas procesit të Annapolis-it, i cili edhe pse nuk kishte shënuar akoma ndonjë rezultat konkret në rrugën drejt paqes, kishte dhënë disa shenja pozitive, kishte shtuar shumë numrin e takimeve midis autoriteteve izraelite dhe atyre të Autoritetit Palestinez, kishte hedhur në tavolinë ata që konsiderohen si "çështje sensitive", apo "thelbësore", si statusin e Jerusalemit, kufijtë e shtetit të ardhshëm palestinez dhe çështjen e refugjatëve palestinezë.

Një rrugë komprehensive drejt paqes duket e largët dhe problematike, por jo e pamundur. Supozimi se paqja midis Izraelit dhe arabëve është e pamundur mund të kundërshtohet po të sjellim si shembull qasjen ndaj paqes të politikave të ish-Presidentit egjiptian, Anwar Sadat, me nënshkrimin prej tij dhe Izraelit të akordit të paqes më 1979. Po ashtu, kjo u zgjerua me nënshkrimin më 1994 të marrëveshjes së paqes midis Izraelit dhe Jordanisë. Tjetër, nuk ka munguar vitet e fundit dialogu informal midis përfaqësuesve të shtetit të Izraelit dhe disa qeverive të vendeve arabe, apo pjesëmarrjet e përbashkëta në konferenca të ndryshme ndërkombëtare.

Më tej akoma, edhe pse shihet me të drejtë me shqetësim mbështetja që Irani i jep Hamasit dhe militantëve shiit të Hezbollahut në rajon, përkundër saj shumë arabë dhe vende të moderuara arabe i shohin përpjekjet e Iranit për të zgjeruar sundimin përgjatë tokave arabe drejt Mesdheut, si kërcënim ndaj shoqërive të tyre. Përveç kësaj, në Luftën e II-të të Libanit më 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut, mungoi mbështetja e dukshme që pritej t‘u jepej militantëve shiit të Hezbollah-ut prej disa qeverive arabe.

Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, bëri me dije, ditët e fundit, se ndërhyrja në Rripin e Gazës është shumë pranë fundit? E shikoni vërtet kaq të afërt përfundimin e mësymjes izraelite?

Në fakt, nuk është vetëm Kryeministri Olmert që ka deklaruar një gjë të tillë, pasi këtë e kanë bërë edhe zyrtarë të mbrojtjes izraelite, të cilët vlerësojnë se Hamasit i është dhënë tashmë një goditje serioze.

Izraeli u tërhoq plotësisht nga Gaza më 2005, një hap ky i ndërmarrë nga ish-kryeministri Sharon, kësisoj rikthimi atje do të konsiderohej një gabim i madh. Kabineti i tanishëm i Kryeministrit Olmert ka deklaruar se nuk synon të bëjë një gjë të tillë. Ndërkaq, më lejoni t‘ju kujtoj se pas zgjedhjeve të parakohshme të 10 shkurtit të këtij viti Izraeli do të ketë një kabinet të ri.

Krahas zgjerimit të ofensivës, ajo që lipset të nënvizohet janë përpjekjet shumë të mëdha që po bën qeveria izraelite, veçanërisht Ministria e Punëve të Jashtme, në zgjerimin e marrëdhënieve publike, me qëllim që të fitojnë simpatinë e ndërkombëtareve. Siç është raportuar, ka pasur mjaft kritika nga ndërkombëtarët dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për ofensivën në Gaza. Madje, edhe udhëheqësi i opozitës izraelite, ish-kryeministri B. Netanyahu, në të njëjtën kohë kreu i Partisë Likud, u është bashkuar përpjekjeve për marrëdhënie publike, duke i quajtur operacionet e fundit si "veprim të drejtë për vetëmbrojtje".

Le të shpresojmë se intensifikimi i përpjekjeve diplomatike i këtyre ditëve do të mund të afrojë përfundimin e operacioneve izraelite në Gaza dhe arritjen e një armëpushimi atje.

Sa mendoni se, për shkak të konfliktit, do të dobësohet pozicioni i brishtë i Mahmud Abazit, Presidentit të Autoritetit Palestinez, ashtu si edhe të gjithë partive të moderuara të vendeve arabe, të cilat tashmë janë të detyruara të përballen me oponencë shumë më të fortë, jo vetëm nga ana e radikalëve, por edhe të gjithë atyre arabëve që e panë me indinjatë sulmin izraelit?

Në të vërtetë, formalisht mandati presidencial i Presidentit Abbas ka mbaruar që prej fillimit të këtij muaji, por me sa duket ai do të qëndrojë në zyrë të paktën edhe për një vit. Me fjalë të tjera, besueshmëria ndaj tij me anë të zgjedhjeve nuk matet dot tani. Presidenti Abbas mbetet udhëheqësi legjitim i palestinezëve, edhe pse autoriteti i tij duket disi i tronditur. Pranohet nga akademikë arabë se nën udhëheqjen e tij ka pasur progres në drejtim të çështjeve të sigurisë në Bregun Perëndimor, në zhvillimin ekonomik të kësaj zone, në zbatimin e shumë projekteve të huaja, veçanërisht atyre turke dhe japoneze, në turizëm etj. Për shembull, Betlehemin gjatë vitit 2008, kryesisht gjatë Krishtlindjeve e kanë vizituar mbi 1 milionë turistë.

Edhe vendet e Ligës Arabe, pavarësisht kritikave ndaj tij, gjejnë te Presidenti Abbas (përfshirë edhe këto ditë), partnerin kryesor në bisedime.

Një pyetje naive do të ishte: Realisht, çfarë qëndron në themel të këtij konflikti? Goditja e forcave terroriste, sikurse po pretendojnë autoritetet izraelite, apo diçka tjetër?

Jo, nuk do të ishte aspak pyetje naive, pasi komente, debate e analiza të shumta janë fokusuar së fundi pikërisht këtu.

Qëllimi strategjik i Izraelit, siç kam theksuar diku më sipër, është i qartë. Ata duan të sigurohen që islamistët, siç i quajnë ata, të dobësohen dhe të humbin kontrollin mbi Rripin e Gazës, pra të synojnë përfundimisht largimin e regjimit të Hamasit nga Rripi i Gazës. Ushtria synon të marrë nën kontroll zonat prej ku hidhen raketat Kassam në drejtim të jugut të Izraelit. Diplomacia izraelite ndoshta shpreson që të gjendet një mekanizëm që Autoriteti Palestinez dhe Presidenti Abbas të mund të rimarrin kontrollin në Gaza, por kjo, sipas disa analistëve arabë, do të ishte shumë e vështirë nëse nuk arrihet më parë një pajtim midis Hamasit dhe Fatahut.

Qeveria izraelite ka siguruar se nuk ka ndërmend të rikthehet në Gaza, as të kontrollojë jetët e palestinezëve, pasi ata ishin larguar prej atje që në vitin 2005, si tregues i vullnetit të tyre për t‘i hapur rrugë ndërtimit të një shteti palestinez me territoret e Gazës dhe Bregut Perëndimor. Me sa duket ajo që nuk mund të pranohet nga Izraeli është krijimi i një shteti palestinez me Gazën e kontrolluar nga Hamasi.

Pra, kemi një situatë jo thjesht të mungesës së besimit, por tejet përjashtuese, madje armiqësore, ku Izraeli nuk e konsideron Hamasin "palë", por organizatë terroriste, kurse Hamasi nuk pranon të drejtën e ekzistencës së shtetit të Izraelit dhe lufton me çdo mjet për shkatërrimin e tij.

(Vijon në numrin e nesërm)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›