E Shtunë, 31 Tetor 2026

Putin shprehet pozitivisht për Obamën

Dje, në Drezden të Gjermanisë, Kryeministri rus, Vladimir Putin, foli me nota pozitive për Presidentin e sapozgjedhur amerikan, Barak Obama, duke e përkufizuar si "të sinqertë e të hapur", por vërejti se Moska duhet të presë për të mësuar si do të rezultojë në praktikë.

Marrëdhëniet mes Moskës e Uashingtonit janë aktualisht në gjendjen më të acaruar që pas Luftës së Dytë Botërore. Përplasjet mes dy shteteve janë shtrirë që te replikat mbi sistemet e mbrojtjes kundraraketore, te zgjerimi i NATO-s, te pavarësia e Kosovës e te konflikti ruso-gjeorgjian.

Putin vërejti se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi një gamë të gjerë çështjesh ndërkombëtare, megjithëse e gjeti me vend të paralajmëronte për optimizëm të tepruar karshi liderit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Obama duket njeri i sinqertë e me mendje të hapur dhe sigurisht cilësi të tilla i tërheqin njerëzit", tha Putin gjatë një takimi gjatë orëve të vona në Dresden me botuesit e gazetave kryesore gjermane. Por nuk la pa shtuar edhe dyshimet e veta mbi Presidentin e ri amerikan: "Jam thellësisht i bindur se zhgënjimet më të rënda vijnë prej shpresave të tepruara. Duhet të shohim ç‘do të ndodhë praktikisht".

Vladimir Putin udhëhoqi shtetin rus për dy mandate presidenciale, nga viti 2000 deri në vitin 2008, dhe krijoi marrëdhënie mjaft të afërta me Presidentin Xhorxh Bush, i cili u përball me kritika të forta nga opinioni amerikan si dhe ai botëror, sidomos gjatë kohëve të fundit të qëndrimit në pushtet. Putin, i cili konsiderohet numri një i Rusisë, pavarësisht se mban postin e Kryeministrit, i dyti në hierarkinë shtetërore, shtoi se kishte lexuar sinjale pozitive nga kampi i Obamës lidhur me planet amerikane për krijimin e sistemit të mbrojtjes kundër raketave - diçka e cila për Moskën përbën kërcënim të drejtpërdrejtë të sigurisë së vendit.

"Sa për sistemin e mbrojtjes nga raketat: kemi dëgjuar se mund të mos jetë domosdoshmërish i nevojshëm", tha Putin përpara botuesve gjermanë. "Gjithashtu na kanë mbërritur zëra se siguria e vendeve si Ukraina dhe Gjeorgjia mund të garantohet përmes mjetesh të tjera dhe se nuk është nevoja që të bëhen menjëherë pjesë e NATO-s", shtoi lidhur me përpjekjet amerikane për zgjerimin e kësaj aleance.

Rusia u është kundërvënë ashpër planeve të Uashingtonit për të përfshirë ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik në aleancën ushtarake perëndimore. Putin nënvizoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të bashkëpunonin edhe për uljen e kurbës së garës për armatim, si edhe në çështje të rëndësishme në kuadrin global, siç janë problemet në Lindjen e Mesme, Irani dhe kriza globale. "Jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe do të presim përmbushjen e gjithçkaje që kemi dëgjuar të premtohet gjatë fushatës presidenciale të Obamës", shtoi Kryeministri rus.

Vladimir Putin shtoi gjithashtu se nuk habitej nga euforia që shoqëroi ngjitjen e Presidentit të ri amerikan në postin e kryetarit të shtetit. "Fakti që disa shtete evropiane u frymëzuan në masë shumë të madhe nga Obama, tregon se evropianët së fundmi kanë parë shumë zhvillime negative në politikën amerikane", shtoi Kryeministri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›