VARIACIONE M B I M O R A L I N
Stefano BENNI
1.
Një krimb është vënë në një grep. Një peshk e pa.
“Tani do të të ha”, i tha.
“Po me hëngre”, tha krimbi, “do të të hanë edhe ty.”
Peshku s’ia vuri veshin, e hëngri dhe e hëngrën edhe atë.
2.
Një krimb ishte vënë në një grep. Një peshk e pa.
“Tani do të të ha”, i tha.
“Po më hëngre”, tha krimbi, “do të të hanë dhe ty.”
Peshku mirënjohës u largua dhe s’hëngri kurrë më krimba.
3.
Një krimb ishte vene në grep. Një peshk e pa.
“Tani do të të ha”, i tha.
Krimbi nuk foli.
Peshku e hëngri dhe e hëngrën edhe atë.
4.
Një krimb ishte vënë në grep. Një peshk e pa.
“Oh, sa po vuan”, i tha, “a mund të bëj diçka për ty?”
“Më ha”, iu lut krimbi, “kështu do t’i japësh fund agonisë sime.”
“Jo”, tha peshku, “s’dua që të më hanë edhe mua.”
5.
Një krimb ishte vënë në grep. Një peshk e pa.
“Oh, sa po vuan”, i tha, “a mund të bëj diçka për ty?”
“Mundesh, por po e bëre, do të të hanë edhe ty.”
“Prapëseprapë do të të ha”, tha peshku, “s’mund të të shoh duke vuajtur kështu.”
6.
Një krimb, që para se të bëhej karrem kishte qenë një bamirës i madh, ishte vënë në një grep, kur aty rrotull kaloi një peshk i njohur në gjithë lumin për ligësinë e tij.
Të dy u vështruan gjatë. Pastaj iu drejtuan peshkatarit:
“Po ju, çfarë bëni aty shtrirë, ndërsa këtu poshtë ndodhin ngjarje që kërkojnë zgjedhje të mëdha morale dhe përgjegjësi te mirëpërcaktuara para opinionit publik?”
Peshkatari, si kundërpërgjigje, e tërhoqi sipër grepin me të gjitha pajimet dhe u largua.
“Epo kjo punë”, murmuriti, “vjen tjetri për të peshkuar në qejf të vet dhe këta s’rrinë pa të futur në politikë!”
Përktheu Alban Bobrati
11 Maj 2009