E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika nderon ish-deputetin Çukaj

Mazhoranca dhe opozita u bashkuan dje në ngushëllimet që u bënë familjarëve të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Lekë Çukaj. Kështu, dje Kryeministri Berisha ngushëlloi familjarët e të ndjerit Çukaj me anë të një mesazhi ngushëllimi. "Ndarja tragjike nga jeta e Lekës, njeriut tuaj më të dashur, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ishte një lajm i hidhur jo vetëm për ju, por për të gjithë ata që e kanë njohur Lekë Çukajn, kanë njohur vlerat dhe përkushtimin e tij ndaj qytetarëve që përfaqësonte, të Dukagjinit dhe Shkodrës", theksonte Berisha në telegramin e tij. Po kështu, Presidenti Bamir Topi i ngushëlloi familjarët me anë të një mesazhi. "Leka do të kujtohet nga ne gjithnjë si një njeri me integritet shoqëror e profesional, një koleg i përkushtuar në profesionin dhe detyrat e tij, njeri korrekt e i ndershëm, gjithnjë në harmoni e mirëkuptim me ata që e rrethonin", shkroi Topi për familjarët e ish-deputetit. Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjeti po ashtu rastin të ngushëllonte për vdekjen e ish-deputetit socialist. "Ndarja e parakohshme nga jeta e ish-deputetit Lekë Çukaj ishte një ngjarje e tragjike për të gjithë miqtë, kolegët e bashkëpunëtorët e tij. Lekë Çukaj do të mbahet mend si një koleg i përkushtuar në profesionin dhe detyrat e tij", thekson Rama në telegramin e bërë në emër edhe të PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›