Vdes duke luajtur futboll i burgosuri
Një i dënuar me shtatë vjet heqje lirie në Burgun e Peqinit ka vdekur në rrethana ende të paqarta në burgun e sigurisë së lartë. Sipas burimeve zyrtare, bëhet e ditur se rreth orës 13:05 të së hënës është njoftuar nga Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan, se në spitalin e qytetit të Elbasanit është dërguar me ambulancën e burgut të Peqinit i vdekur 38-vjeçari Arben Ruka, nga Berati, i cili vuante dënimin në këtë burg me 7 vjet heqje lirie. Mësohet se Ruka ishte dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ai ka qenë duke luajtur futboll në mjediset sportive të burgut, kur ka rënë në fushë dhe ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për në spitalin kirurgjikal të Elbasanit. Në vendngjarje u dërgua grupi hetimor, i cili po kryen veprimet procedurale, por ende mjekët specialistë nuk kanë dhënë ndonjë shkak zyrtar derisa të kryhet autopsia e kufomës.
Be.Dy.