Gjurmët që lanë në qeli të fortin e Fierit
Gjykata e Tiranës i jep 45 ditë kohë organit të akuzës për të vërtetuar akuzën e vrasjes për Arben Isufajn
Prokuroria: Presim ekspertizën e gjurmëve të gishtave nga laboratori i Londrës. Përputhet në 90%
TIRANË- Një debat 45 minutësh ka mjaftuar për të lënë në qeli Arben Isufajn, edhe pse Gjykata e Lartë i kishte “dhuruar” atij lirinë. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit 45- ditor për të, duke i lënë kohë prokurorisë të vërtetojë akuzën e vrasjes së Pirro Koçiut. Sipas kërkesës së prokurorisë, personi nën hetim, Arben Isufaj, i njohur ndryshe si Ben “Qimja”dyshohet se është njëri nga vrasësit e shtetasit Pirro Koçiu, në vitin 2002, vrasje që është cilësuar për motive hakmarrjeje. Rrethorës 12:00 të ditës së djeshme, gjyqtarja e gatshme priste ardhjen e fierakut në gjykatë, por aty u paraqit vetëm avokati i tij mbrojtës, Genc Gjokutaj, që dorëzoi pranë kësaj gjykate prokurën e përfaqësimit nga i arrestuari. Me prezantimin e avokatit para gjykatës, seanca filloi shqyrtimin e kërkesës së prokurorit për Ervin Karanxha për vlerësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë.
***
Në fjalën e tij, prokurori Karanxha kërkoi që personi nën hetim, Arben Isufaj, të qëndrojë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 45 ditor, kohë kjo që sipas tij do të mjaftojë për ardhjen e përgjigjes së analizave të gjurmëve të gishtave nga Anglia, me anë të letër- porosisë. “Ka dyshime të arsyeshme se i ndaluari Isufaj ka marrë pjesë bashkë me shtetasit Fatlum Kadia dhe Erion Danaj në vrasjen për hakmarrje të shtetasit Pirro Koçia në gushtin e vitin 2002”,-tha prokurori, duke përmendur si provë përputhjen e gjurmëve të tij të gishtave me gjurmët e gjetura në armën e krimit. Ndërkohë, avokati mbrojtës i37-vjeçarit Isufajpohoi para gjykatës se klienti i tij duhej të lirohej menjëherë, pasi në favor të tij është shprehur Gjykata e Lartë me anë të një vendimi të datës 4 qershor të këtij viti, ku i heq masën e sigurisë të dhënë në mungesë. Edhe prokurori i çështjes shprehu dijeninë që kishte për vendimin Gjykatës së Lartë, por shtoi para gjyqtares se krimi për të cilin dyshohet se ka marrë pjesë 37 vjeçar i cilësuar si i “forti” i Fierit ka ndodhur mesditën e 12 gushtit të vitit 2002 në rrugën “Him Kolli” në kryeqytet, ku ka dyshime të forta se ky krim ishte kryer nga Arben Isufi dhe Erjon Danaj, ndërsa personi që e futi në kurth viktimën ishte Fatlum Kadia.
***
Gjykata e Tiranës, pasi dëgjoi palët vendosi që të pranojë kërkesën e prokurorit, duke vendosur izolimin e Arben Isufajt për 45 ditët e ardhshme, me dyshimet e kryerjes së veprës penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim. Gjithashtu, gjykata në vendimin e saj e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij, duke rrëzuar kështu alibinë e mbrojtësit ligjor se klienti është “sekuestruar” pa një vendim apo urdhër të prokurorit. Argumentimi i këtij vlerësimi ishte se ndaj personit nën hetim kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar që ndodhej në listën e Interpolit, ndërkohë që prokuroria është shprehur se emri i Isufajt është harruar në këtë listë. Sipas prokurorisë, përgjigja e ekspertimit të gjurmëve të gishtave që pritet të vijë nga Anglia ka ardhur në rrugë jo zyrtare, ku cilësohet se mbi 90 % të këtij ekspertimi gjurmët janë të përafërta me ato të të fortit të Fierit, Arben Isufaj. Kjo shkresë nuk mund të merret si provë, ndaj edhe prokuroria ka kërkuar me anë të një letër-porosie ardhjen e kësaj përgjigjeje në rrugë zyrtare nga laboratori kriminalistik në Londër.
MASAT PËR ISUFAJN
21 prill 2005
Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”
22 korrik 2005
Gjykata e Apelit ka vendosur lënien në fuqi të këtij vendimi, në mungesë
4 tetor 2006
Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e dy vendimeve dhe rikthimin e çështjes në prokurori
12 shkurt 2008
Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur sërish masën e sigurisë “arrest me burg”
13 maj 2008
Gjykata e Lartë ka vendosur sërish prishjen e kësaj mase sigurie, në mungesë provash
KRIMET
Vrasja për hakmarrje
Arben Isufaj akuzohet se është ideatori i vrasjes së Pirro Koçiut, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2002. Për të futur në kurth Koçiun është përdorur një i njohur i tij, i cili i ka kërkuar të dalë nga apartamenti me qera
Trafiku i drogës
I njohuri si Ben “Qimja” akuzohet se ka trafikuar kokainë nga Holanda në Itali. Sipas përgjimeve të policisë italiane, fieraku ishte furnizuesi kryesor me kokainë i bandës së Lushnjës, që kryente këtë aktivitet në Itali
Sulmi i policisë
Rreth një vit më parë, Arben Isufaj është përfshirë në një konflikt të armatosur me policinë e Fierit. Për të shpëtuar një të njohurin e tij, ai ka qëlluar me armë në drejtim të punonjësve të policisë dhe më pas iu shpëtoi prangave