E Diel, 1 Nëntor 2026

Në proporcional kush merr më shumë vota për partinë dhe si kandidat

31/03/2005  LSI ka vendosur të shmangë tolerimet në votimin në sistemin mazhoritar

LSI ka vendosur që të miratojë një formulë të veçantë për listën e mandateve të deputetëve, që do të vijnë nga proporcionali. Në vendim kërkohet shmangia e një bashkëpunim të mundshëm mes kandidatëve të kësaj partie në rrethe dhe konkurrentëve të forcave të tjera në dëm të votave për partinë, duke synuar kështu fitimin e sa më shumë zonave në mazhoritar dhe në proporcional. Duke rrëzuar një formulë të mundshme bashkëpunimi, ku kandidatët e LSI-së të rrisin votat e veta si kandidat, në dëm të votave për partinë, LSI ka vendosur që i pari në listën e proporcionalit do të jetë ai kandidat që do të marrë më shumë vota për partinë dhe për vete si kandidat. Burime në LSI janë shprehur për "Metropol" se përgatitja e kësaj strategjie po hartohet për të evituar rrezikun e mundshëm të manipulimit të votës së kandidatëve të saj me forcat e tjera politike. Duket se në krye të listës proporcionale do të jetë kryetari Ilir Meta dhe të gjithë deputetë aktualë të kësaj partie.

Formula

Skema, që do të ndiqet nga LSI-ja për të ndërtuar listën proporcionale, do të favorizojë të gjithë ata kandidatë për deputetë, të cilët do të renditen në bazë të mesatares së votave të fituara si për individin, ashtu edhe për forcën politike bashkarisht. Kjo skemë do të ndiqet në mënyrë që motivimi i kandidatëve të LSI-së të jetë i njëjtë dhe maksimal, si për të siguruar fitoren në mazhoritar dhe për të maksimalizuar përfitimin në projektimin e votave, që do të shkojnë në favor të siglës së partisë. Skema do të synojë gjithashtu të evitojë pazaret politike, që bëhen nga kandidatë të forcave të ndryshme politike. Burimet thanë se "skema do të fuksionojë për të evituar rrezikun e ndonjë manipulimi, apo bashkëpunimi të pandershëm të kandidatëve të saj për deputetë me kandidatët e forcave të tjera politike, në favor të mbështetjes së saj si në mazhoritar, ashtu edhe në proporcional".

Kandidimi

Lëvizja Socialiste për Integrim, në strategjinë e saj elektorale, ka pëgatitur një listë kandidatësh për deputetë, të cilët do të kenë objektiv kryesor daljen si forcë e parë politike në zgjedhjet parlamentare. Në fushatën e saj elektorale, LSI-ja do të synojë që nga kandidatët e saj të sigurohen sa më shumë vota për subjektin politik. Natyrisht, lufta për mazhoritar do të jetë kryesore. Duke parë që LSI-ja prezantohet për herë të parë para elektoratit shqiptar, kandidatët e saj për deputetë do të synojnë të jenë sa më pranë këtij elektorati për të fituar kështu besimin e tij. Gjithsesi, në listën e kandidatëve për deputetë, kreu i kësaj partie ka preferuar të vendosë emra të njohur nga të gjitha fushat e jetës, të cilët më parë nuk kanë qenë të angazhuar në politikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›