Serbia i kërkon Shqipërisë borxhin 8.5 milionë USD
Qeveria serbe i ka propozuar parlamentit që të ratifikojë një marrëveshje me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë për një shlyerje borxhi. Sipas mediave serbe, shumë shpejt Shqipëria duhet të fillojë që të paguajë 8.5 milionë dollarë ndaj Serbisë, një borxh i vjetër ky që lidhet që me ekzistencën e ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë dhe që kishte në thelb tregtinë mes Shqipërisë dhe kësaj Republike. Dokumenti që qeveria ka propozuar në Parlament, rregullon pagimin e këtij borxhi bazuar në përllogaritjet e tregtisë mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë. Marrëveshja merr parasysh llogaritjen e një interesi të rregullt mbi bazat e borxhit të plotë, i cili shkon diku tek mbi 8.5 milionë dollarë deri në shtator 2009. Shqipërisë do ti lihen pesë vite kohë për ta shlyer këtë borxh, pa asnjë periudhë tolerimi dhe datat e pagesës janë caktuar; 31 mars dhe 30 shtator të çdo viti kalendarik. Çdo vonesë në pagesë do të ketë kamatë, që do ti shtohet borxhit. Qeveria bëri këtë propozim në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të fillojë të paguajë sa më shpejt të jetë e mundur.