Pavlefshmëria e mandatit të Kuvendit të Shqipërisë
Fakti që deputetët ligjvënës nuk janë betuar, përbën pavlefshmërinë e mandatit të tyre (shih Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, mandati i deputetit).A është legjitim mandati i Kuvendit të Ri të Shqipërisë kur deputetët e tij nuk betohen? Pra, a fillon punë Kuvendi i Shqipërisë nëse përfaqësues të popullit, të certifikuar ligjërisht si të tillë, nuk paraqiten të bëjnë betimin e deputetit?Nga një lexim i thjeshtë i Kushtetutës kuptojmë se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk i jep përgjigje drejtpërsëdrejti kësaj pyetjeje. Rrjedhimisht, kuptojmë se mandatimi i Kuvendit të tanishëm të Shqipërisë, të paktën, dyshohet të jetë legjitim. Ilegjitim dyshohet se janë edhe të gjitha institucionet që kanë rrjedhur nga ai Kuvend. Në radhë të parë ilegjitime dyshohet mbledhja e parë e Kuvendit, pastaj me radhë gjithë organizimi i tij në bazë të Rregullores së Kuvendit. Ilegjitim dyshohet formimi i qeverisë si edhe miratimi i saj nga Presidenti i Republikës.Atëherë, ç‘bëhet në Shqipëri?Kush duhet të na shpjegojë, në lidhje me sa ndodh, në këta pesë muajt e fundit, pas zgjedhjeve të qershorit 2009?Mirë, që pjesëtarë të pushtetit gjyqësor nuk dalin publikisht e të na flasin. E dimë, ata nuk e bëjnë këtë, për shkak të akuzës publike korruptive, brenda dhe jashtë vendit, që rëndon mbi ta. Por, si nuk doli ndonjë profesor i jurisprudencës të Universiteteve të Tiranës, të na shpjegojë në lidhje me sa përcakton Kushtetuta jonë për mandatin e Kuvendit të sotëm të Shqipërisë? Si nuk doli ndonjë jurist i shoqatave joqeveritare?Kushtetuta e Republikës Italiane sanksionon praninë e profesorëve të universiteteve si këshilltarë të problemeve juridike në institucionet publike.Në cilësinë e gazetarit, na duhet të hetojmë se ç‘ndodh në Shqipëri, mes atyre njerëzve në protestë shesheve dhe po aq të tjerëve që tallen me gishta (me kuptimin "jua futi") ashtu si i nxiti i pari i tyre ideopolitik.Shumë veta bëjnë pyetje se çdo të bëjë Partia Socialiste dhe aleatët e saj pas protestave të fundit. Kjo pyetje më shumë se naive nuk ka cilësim. Sepse ajo që kanë bërë përfaqësuesit e pabetuar të popullit në Kuvendin e Shqipërisë, është pavlefshmëria de-fakto e mandatit të tyre, rrjedhimisht pavlefshmëria defakto e Kuvendit në bazë të Kushtetutës. Në Kushtetutë, nuk përcaktohet me shifra, sa duhet të jetë numri i deputetëve të betuar, që t‘i japin vlefshmëri mandatit të Kuvendit. Rrjedhimisht, shumica e dalë fituese nga zgjedhjet e fundit dhe e certifikuar ligjërisht si e tillë, nuk legjitimohet që t‘i japë mandat Kuvendit të Shqipërisë, përveç rastit të vetëgjyqësisë.Në Kushtetutë nuk përcaktohet afat për bërjen e betimit të deputetëve. Kështu, thirrja e demokra-tëve, në këtë rast antidemokratë për shkak të vetë-mandatimit, për futjen në Kuvend të deputetëve me mandat të pavlefshëm, është tragjikomike.Po ashtu e çuditshme është edhe pyetja që u bëhet shpesh opinionistëve dhe politikanëve në lidhje me qëndrimin e ndërkombëtarëve për sa i takon protestës së fundit politike në Shqipëri, lidhur ajo me lirinë e lëvizjes pa viza dhe integrimit europian, ndërkohë që përfaqësitë e ndërkombëtarëve janë në Tiranë dhe mund të pyeten direkt nëse e njohin Kushtetutën e Shqipërisë dhe mandatimin e Kuvendit. Konsiderata e shprehur e ndërkom-bëtarëve për luftë politike në Parlament, bën fjalë për një Parlament normal dhe jo për një Kuvend me mandat të dyshuar. Kurse, kontrolli i ligjshmërisë së institucioneve publike, konsiderohet bazë e demokracisë dhe sanksionohet në kushtetutat e vendeve të Europës së Bashkuar. Kështu, karakteri refraktar absolut ndaj kërkesës për kontroll të ligjshmërisë së dyshuar të një institucioni publik, shkon ndesh me demokracinë. Justifikimi i mospranimit absolut të kontrollit të ligjshmërisë të një institucioni publik, me pasjen e një vendimi gjyqësor për ligjshmërinë e atij institucioni, është aq antidemokratik, për sa kohë që ai kontroll nuk bëhet. (Shiko për këtë kontrollin e ligjshmërisë financiare dhe ekonomike të sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë. Kontrolli i Shtetit kontrollon ligjshmërinë e vendimeve të marra, por pa i ndryshuar ato etj.) Deklaratat dhe pozat politike të politikanëve të dalë nga një Kuvend me mandat të paktën të dyshuar, u ngjajnë gradave që dikur një ushtarak sharlatan i vendoste vetes, apo veprimeve intriguese politike të shqiptarit Ali Pashë Tepelena, të shkruara nga francezi Pukëvil dhe të sjella së fundi shqip mbas dyqind vjetësh.Mosveprimi i Presidentit të Republikës, për ndalimin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të pavlefshmërisë së mandateve të deputetëve të tij, përbën tregues se Presidenti i Republikës, në krye të pushtetit gjyqësor, nuk është në nivelin e garantuesit të kushtetutshmërisë në Shqipëri.